Një sasi e madhe kanabis sativa është sekuestruar gjatë natës në fshatin Bago të Kavajës.

Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për rreth 4 tonë lëndë narkotike, e cila u gjet brenda dy mjeteve, një fuoristradë dhe një tjetër furgon, ndërsa drejtuesit e mjeteve me të pikasur policinë ishin larguar duke i braktisur mjetet me drogë në autostradë.

Operacioni është zhvilluar në orën 01:00 të natës, e po vijon ende. Ndërkohë policia ka ndaluar 4 persona të tjerë, të cilët dyshohen se ishin pritësit e mallit. 

Dyshimet e para janë që sasia e drogës ka ardhur nga një rreth tjetër, me qëllim që të shkonte drejt “Plazhit të Gjeneralit” dhe më pas të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë. Operacioni është në zhvillim e sipër për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.