Federata Shqiptare “Taekwondo World” mori pjesë në Kampionatin Ballkanik 2021, aktivitet që u zhvillua në Bukuresht të Rumanisë. Kombëtarja kuqezi garonte në këtë event me 16 sportistë të cilët drejtoheshin nga trajnerët Xhersi Kurti dhe Arjola Kasaj, me shef delegacioni Fatjon Rrapollarin dhe menaxher Xhevahir Hysën.

Sportistët e përfaqësueses shqiptare bënë një paraqitje fantastike duke siguruar plot 12 medalje në këtë aktivitet (6 medalje ari, 4 argjendi dhe 2 bronzi). Një paraqitje e shkëlqyer që e klasifikon Shqipërinë në pozicione mjaft të mira në renditjen e përgjithshme në rang ekipor. Kështu, në kategorinë Senior, Kombëtarja jonë u shpall nënkampione e Ballkanit, ashtu sikurse në kategorinë Junior. Ndërsa për Kadet u rendit në vend të pestë. Ndërkohë, bashkë me ekipin kombëtar në këtë aktivitet morën pjesë edhe sportistë të tjerë nga Shqipëria të shoqëruar nga trajnerët Eljon Puka, Julian Caca, Marsel Peti dhe Vilson Kasaj. Edhe këta sportistë bënë një paraqitje shumë të mirë, duke siguruar gjithashtu medalje të shumta.

Pas mbylljes së Ballkaniadës, Endrit Hoxha, presidenti i Federatës Shqiptare të Taekwondosë, në një prononcim të shkurtër për “Panorama Sport” theksoi punën e bërë pikërisht për ekipin kombëtar, duke i kushtuar edhe pjesën më të madhe të buxhetit vjetor të federatës. “Si president këtë vit e kam fokusuar buxhetin më shumë se 70% vetëm për sportistët e ekipit kombëtar me grumbullime dhe aktivitete. Kjo gjë ka pasur një ndikim të madh për rezultatet e larta që kemi marrë jo vetëm në Kampionatin Ballkanik, por edhe në turnetë kualifikues për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’”, u shpreh Hoxha. Ndërkohë, në tabelë pasqyrohen të gjithë emrat e sportistëve që janë kthyer me medalje nga Kampionati Ballkanik, si ata që përfaqësonin ekipin kombëtar, ashtu edhe sportistët që garuan për klubet e tyre.