Asambleja e Partisë Socialiste për degën e Tiranës, nisi të dielën punimet në Tiranë, ku po diskutohen mbi strategjinë e së majtës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

Kreu i PS-së së Tiranë, Sajmir Tahiri në fjalën e tij tha se "Tirana është gati për fushatë dhe gati për të fituar zgjedhjet 2013. Tirana sot, është një qytet më pak i sigurt, është rritur kriminaliteti, vidhet pasuria, të ardhurat, biznesi, makina, të tjerë aksidentohen, plagosen, apo më keq humbasin jetën."- tha Tahiri. 

Kështu, duke vazhduar më tej ai tha se askush nuk dënohet dhe banditët e rrugës ndihen më të lirshëm, duke shtuar se sot në Tiranë ndodhin më shumë krime se asnjëherë më parë. Duke folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare ai ka theksuar se PS-ja nuk do të lejojë që të vidhet asnjë votë në 23 qershor, ndërsa ka shtuar se ata të cilët do të guxojnë të vjedhin votën do ta paguajnë shtrenjtë dhe s'do të ketë asnjë imunitet që t'i mbrojë.