Shkurtimi i kohës së shërbimit dhe thjeshtimi i procedurave portuale për udhëtarët dhe automjetet me tragete, si dhe përmirësimi i infrastrukturave në Portin e Barit ishin disa nga temat që u trajtuan në takimin e organizuar të enjten me nismën e Konsullit të Përgjithshëm të vendit tonë, Adrian Haskaj, në qytetin italian.
Presidenti i Autoritetit portual të pesë porteve të Adriatikut Jugor, Ugo Patroni Griffi dhe Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Artjan Qirici, diskutuan mbi funksionimin efiçent dhe të shpejtë të procedurave të lëvizjes në linjën Durrës-Bari dhe anasjellas si dhe për sensibilizimin dhe kontributin e të gjitha subjekteve private dhe shtetërore.
Drejtori Ekzekutiv i APD-së, Artjan Qirici, vlerësoi se rritja e volumeve të transportit të mallrave dhe të udhëtarëve, drejt Porteve të Italisë, kryesisht të Barit, përbën një fokus strategjik për zhvillimin e Portit të Durrësit. Një ndër faktorët kryesorë për realizimin e këtij objektivi është thjeshtimi dhe lehtësimi i procedurave të kontrollit kufitar dhe doganor, si edhe përmirësimi emergjent i infrastrukturës të Terminalit të pritjes së mjeteve dhe pasagjerëve në portin e Barit.
Z. Qirici në vijim të kësaj nisme, ftoi homologun e tij për të vizituar Portin e Durrësit, takim i cili u dakordësua të zhvillohet brenda këtij viti.
Marrëveshja e përbashkët e arritur nga ky takim për fillimin e përpunimit të udhëtarëve dhe automjeteve që mbërijnë në Bari nga ora 08:00 në orën 07:00, si edhe nisja rigoroze ne orën 23:00 nga Porti i Durrësit, përbën hapin e parë në realizimin e objektivave të kësaj nisme.
“Vonesat e pajustifikuara në mbërritje nga Durrësi në Bari e kanë bërë të pamundur planifikimin e orareve në vazhdim nga ana e udhëtarëve dhe kamionistëve”, tha më tej Drejtori Ekzekutiv i APD-së.
Në takimin që u zhvillua dy ditë më parë në Bari u diskutua edhe mbi Implementimin e platformës informatike (shkëmbimin online të të dhënave) “GAIA” për kontrollin dhe sigurinë portuale, një sistem ky i cili do të riorganizojë dhe thjeshtojë procedurat kufitare dhe doganore.