Për herë të parë, pas më shumë se 20 vjetësh emigracion, një faqe interneti ka bërë të mundur mbledhjen e durrsakëve anembanë botës në një forum, i cili nuk shërben vetëm për të shkëmbyer ide e për të rrahur mendime, por edhe për të debatuar e për të ngritur problematikat që shqetësojnë qytetarët e Durrësit dhe ata që kthehen në vendlindje me mall e dashuri.

“Forumi i Durrsakëve” përditë e nga pak ka mbledhur rreth vetes një numër të madh studentësh, intelektualësh, artistësh, të cilët duke parë realitetin, zhvillimin ekonomik, urban e politik rrahin çështje shumë të debatuara të realitetit dhe aktualitetit të qytetit. Organizatorët e Forumit, një grup të rinjsh apo më mirë të themi brezi i viteve ‘90, i kemi takuar javën që lamë pas dhe padyshim që gjatë prezantimit kanë përcjellë mjaft energji pozitive jo vetëm me idetë që kanë për qytetin e Durrësit, por për zhvillimin e një aktiviteti për mbledhjen e të gjithë emigrantëve në datën 11 gusht në Durrës.


 


Indrit Nina, President i “Forumi i Durrsakëve”:Për të gjithë durrsakët kudo ndodhen, “Forumi i Durrsakëve” lindi si një dëshirë e durrsakëve për durrsakët dhe Durrësin. Me kalimin e kohës u zmadhua në ide dhe pjesëmarrje për të kaluar në dëshira të vjetra dhe pasione të pashuara. U rrit, fitoi zemra dhe ëndrrat filluan të dalin nga gjumi i vjetër për të kaluar në dëshira reale. Për të parë durrsakët një ditë së bashku jashtë një faqe social-networku e më gjerë. Për të vazhduar në kalldrëmet dhe rrugicat ku u lindëm dhe u rritëm dhe për t’i dhënë atyre ngjyra të kaltra si vetë deti që e vadit. Dolëm në tregun mediatik për t’u thënë se jemi ne, që nuk jemi harruar dhe që ju duam akoma, sepse fjala mall nuk shuhet vetëm ndizet. Bashkë me ju votuam një Bord që përkushtoi kohë dhe dëshirë e pasion për të organizuar Ditën e Durrsakëve. Ja ku janë në terren të lodhur, por krenarë për punën e tyre që tashmë ka filluar të vërë në jetë projektin e nisur që zgjerohet çdo ditë me trokitjet e tik tak-eve të zemrave tuaja që shtohen përditë. Është vetëm fillimi, por fillimi i mbarë është gjysma e punës. Për ta bërë këtë ëndër realitet nga të gjithë durrsakët nuk duam gjë tjetër vetëm  ndihmën tuaj morale për të qënë të gjithë bashkë atë ditë, Ditën tuaj Durrsake ..!!



Eny Biduli:Forumi i Durrsakëve është themeluar që prej nëntorit të vitit 2011. Dorë pas dore është rritur dhe pjesëtarët më të mëdhenj të këtij forumi janë durrsakët e ikur në vite, të shpërndarë të gjithë botën jashtë, por edhe ata që jetojnë në Durrës. Ne krijuam një faqe në internet, në Facebook, me themelues Indrit Nina, i cili ka grumbulluar të gjithë durrsakët në një faqe elektronike. Flasim për Durrësin, për mallin që kemi, pasi ndodhemi jashtë. Për ne që jemi jashtë vendit, Durrësi është në zemrat tona. Por kjo është një rigjetje për të gjithë personat që ne kemi lënë këtu, për shoqërinë dhe të afërmit. Jemi lidhur, janë rilidhur shoqëritë e humbura në vite. Qëllimi i forumit është bashkimi i të gjithë shoqërisë, durrsakëve të ikur dhe atyre që jetojnë akoma këtu. Duke ecur shumë mirë në këtë rimbledhje e rigjetje menduam që kurorëzimi i kësaj hapjeje do të ishte grumbullimi i të gjithë durrsakëve kudo ndodhen, në një ditë vit pas viti, datë kjo e cila është vendosur në 11 gusht. Në këtë datë janë planifikuar të sillen ato vlera të larguara të durrsakëve që nuk ndodhen dhe atyre që jetojnë në Durrës. Ne duam të organizojmë një event shumë të madh, i pari në llojin e tij, që ka si qëllim bashkimin e të gjithë shkrimtarëve, muzikantëve, piktorëve të ikur dhe ata që janë prezent. Ky është synimi dhe dëshira jonë për t’u mbledhur të gjithë në një ditë të caktuar. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga eksodi i madh dhe emigrimi, nga i cili Durrësi është më i prekuri dhe ky event, realizimi i tij, do të bënte të mundur kurorëzimin e punës tonë disa mujore. Unë kam ardhur nga Piacenza, nga Italia, dhe jemi duke punuar, për regjistrimin e këtij forumi në gjykatë si shoqata e durrsakëve. Kemi gjetur mbështetjen e pushtetit lokal dhe dashamirësinë e të gjithëve.



Soren Njala, student: Në këtë ditë të madhe shpresojmë të bashkojmë të gjithë durrsakët kudo që ndodhen nga të katër anët e botës. Mendoj se vitet e fundit vlerat durrsake, sikur kanë humbur dhe ne kemi si qëllim rizgjimin e tyre. Duke qenë se jam një nga anëtarët më të rinj të bordit drejtues të forumit, pjesëmarrja në këtë projekt është një eksperiencë e jashtëzakoshme gjithashtu dhe një privilegj i madh të kontribuoj në këtë event që realizohet për herë të parë në Durrës. Më vjen mirë që shumë të rinj durrsakë, bashkë me mua do të njohin personashe me vlera dhe që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të qytetit, vite më parë. Besoj se do kemi një bashkim dhe rizgjim vlerash të munguara në vite. Me anë të këtij eventi (duke shpresuar të jetë i përvitshëm), besoj se këto vlera mund t’i mbajmë gjallë mes nesh për vitet në vazhdim. Në datën 11 gusht ne kemi planifikuar të organizojmë një ekspozitë me punimet e piktorëve të vjetër dhe atyre të rinj, atyre që janë në diasporë dhe vendas. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet promovimit të artistëve të rinj dhe vlerësimeve për ata që kanë bërë traditë, të cilët të jenë vazhdimisht në Durrës. Forumi i Durrsakëve i jep përparësi promovimit të artistëve të rinj.



Aida Pema Himci, qytetare:Ideja fillestare e këtij forumi ishte sensibilizimi i çdo qytetari me problemet e ditës. Janë në thelb problemet që prekim çdo ditë, duke nisur nga zhvillimi i qytetit, por çfarë duhet të ruajmë nga ky Durrës që kishim? Janë shumë gjëra që nuk mund të ribëhen më! Të ruajmë trashëgiminë arkeologjike dhe historike, të ndërhyjmë me sa kemi mundësi në organet kompetente në vendimmarrjen lokale që të mos dëmtohet edhe më shumë ky Durrës. Problemet jetike që ka qytetari dhe turisti janë në thelb të debateve tona. Por ne ngremë edhe debatet e punësimit, të zhvillimit të qytetit. Probleme themelore, që evidentohen janë ngritja e zërit të qytetarit, duke nisur edhe nga një burokraci e vogël siç është marrja e pensionit. Preken nga pak të gjitha problemet. Anëtarët e forumit nëpërmjet posteve të ndryshme vihen në dijeni për të rejat që ndodhin në këtë qytet, projektet që janë për zbatim sikurse dhe vendimet që merren për zhvillimin e qytetit nga organet përkatëse, ndërkohë që qytetarët durrsakë (në këtë rast anëtarët e forumit) japin mendimet e tyre. Rasti i portit të peshkimit, është miratuar projekti që e parashikon rreth 800 m larg sheshit Taulantia, me pak fjalë është në sheshin Taulantia, dmth i ulet vlera shëtitores, nuk kemi më shëtitje në ajër të pastër. Duhet të këmbëngulim mbi të gjitha, të mbrohen zbulimet e reja arkeologjike që të mos përfundojnë nën beton. Brezat e ardhshëm nuk do të na e falin! Duhet të ruajmë këto vlera, sepse këto janë krenaria jonë, historia jonë edhe pse një pjesë shumë e madhe janë shkatërruar dhe ndodhet nën themelet e shumë ndërtimeve.



Kujtim Shtraza, emigrant në Piza: Kthehem çdo vit në Durrës dhe ndjej kënaqësinë kur takohem me miq të vjetër. Kemi krijuar këtë grup për evidentimin e vlerave qytetare durrsake në vite, për t’i botuar, rifreskuar për t’i sjellë më afër vlerat e këtyre bashkëqytetarëve në qytetin tonë. Ndryshimet janë rrënjësore dhe qyteti vit pas viti rritet, ka zhvillim ekonomik të dukshëm në drejtim të urbanistikës dhe ndërtimeve. Është një eksperiencë që e ndjejmë sa herë që vijmë. Durrësi na jep sadisfaksion sa herë që vijmë.



Morena Çyrbja: Ka kohë që nuk nuhas më erë qytetarie në qytetin tim.Të ndryshosh tipologjinë e jetës do të thotë të ndryshosh sistemin e vlerave me të cilat je mësuar, përshtatur dhe që nuk është kaq e lehtë që t’i ndryshosh menjëherë. Pa dyshim që proçesi i zhvendosjes masive të popullsisë nga fshati në qytet është dukuria demografike dhe shqetësimi social më i madh i kohës në të cilën ndodhemi. Eci rrugëve të qytetit tim dhe hapat e mi tërhiqen zvarrë. Vjen një çast në jetën time ku ndjej nostalgji për atë të dikurshmen, për atë që kam qenë, për personat që kam njohur, për ata me të cilët jam rritur dhe kam kaluar një pjesë të jetës sime. E pa imagjinueshme, papritmas, një ditë u ndodha mes tyre. I gjej ata të grumbulluar në një faqe facebook-u “Forumi i Durrsakëve”. Kjo ndjesi më bëri të përlotesha mes buzëqeshjesh. Tashmë nuk më duhet më të rrëmoj në sirtaret ku kam fshehur fotografitë, sepse ata janë mbledhur të gjithë në këtë faqe dhe unë ndjehem pjesë e tyre. I fshij nga pesha e mallit për momentin duke menduar se situatat, të cilat më ndanë dikur prej tyre ishin të ndryshme. Kujtojmë së bashku beteja të fituara, arritje të vogla e të mëdha, të gjitha janë aty, të shkrepura në foto, poste dhe video nga kliku i aparatit “Forumi i Durrsakëve”.

Rrëmojmë së bashku në kujtime duke fshirë pluhurin e emocioneve. Ballafaqojmë të shkuarën me të tashmen duke shpresuar për të ardhmen. Shoh se vitet kanë rendur pas nesh, por ne, qytetarët durrsakë, jemi të njëjtët në shpirt dhe zemër. Harxhoj orë të tëra në këtë komunikim virtual me miqtë e mi, duke harruar për pak çaste jetën reale. Durrësit, tashmë mbi të gjitha, i mungon "Qytetaria"; i mungon ajri i pastër, i mungojnë mimozat, trëndafilat dhe hapësirat e gjelbëruara përpara çdo pallati, i mungojnë lulishtet, fushat e sportit, i mungojnë banorët e vjetër, i mungojnë përshëndetjet e komshinjve, i mungon respekti ndaj njeri-tjetrit, i mungon buzëqeshja e njerëzve, i mungon harmonia dhe dashuria. Durrësit i mungon mbi të gjitha durrsaku, se banorë ka plot, i mungon komshilliku, se fqinjë ka plot, i mungojnë sidomos ato gjyshe, që për çdo mëngjes, dilnin me fshesë tek pragu i derës dhe fshinin secila rrugën para derës së shtëpisë dhe së bashku gjithë lagjen. Durrësit i mungon qytetaria dhe një kryesi me asetet financiare dhe intelektuale që të udhëheqë me pjekuri zhvillimin e qytetit dhe ta kthejë atë nga një metro-fshat, në një qytet të vërtetë, dinjitoz, funksional dhe konkurues në nivel rajonal.

Le të kontribuojmë të gjithë ne, qytetarët e këtij qyteti, ne durrsakët që simptoma e kësaj sëmundjeje të madhe të mos mbulohet me pudër. Le të përpiqemi të gjithë së bashku ne durrsakët e dikurshëm dhe brezi i ri qytetar të realizojmë “Ditën e Durrsakëve” më 11 gusht. Të paktën një ditë në vit të sjellim vlerat e qytetarisë durrsake, të ndjejmë veten në mes bashkëqytetarëve, bashkëmoshatarëve tanë, vlerave tona dhe kulturës sonë, brenda qytetit tonë. Bashkojuni nismës sonë me mbështetjen tuaj morale, me përkrahjen e pushtetit vendor, sepse Durrësi ynë e meriton këtë kurorë.