Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, denoncon kryeministrin Edi Rama si garant të korrupsionit. Ai shkruan se ka dy raste të rënda korrupsioni brenda 6 muajsh, ku kryeministri ka marrë në mbrojtje dy të pandehura nga SPAK. Ai i referohet Belinda Ballukut dhe Mirlinda Karçanajt të AKSHI-t, duke theksuar se në të dy rastet arsyeja pse i merr në mbrojtje është fakti se të dyja çojnë tek familja e tij.

“Të dy rastet kanë një të përbashkët: të çojnë tek familja Rama. Njëra tek vetë Edi Rama, tjetra tek bashkëshortja e tij. Prandaj edhe mbrojtja e tyre, me çdo mjet, nuk është rastësi. Kur e paraqiti Lindën e AKSHI-t si viktimë të SPAK-ut, që jetonte me qira dhe gati sa nuk tha se nuk e mbyllte dot muajin me rrogën e qeverisë, Edi Rama i dinte aferat qindra milionëshe të AKSHI-t. Minimalisht, e dinte sa tendera merr baxhanaku i tij nga AKSHI, ose sa herë ishte shpallur fitues koordinatori i tij personal me krimin e organizuar, Ergys Agasi.”

Gazment Bardhi shton se kryeministri duhet të kërkojë ndjesë publike dhe të japë llogari para shqiptarëve.

“Tani që SPAK ka sekuestruar pasuritë e tyre me vlerë 40 milionë euro dhe që dimë se Linda e AKSHI-t kishte shtëpi në disa resorte luksoze, Edi Rama ka detyrimin të dalë publikisht dhe të kërkojë ndjesë për mbrojtjen e saj publike dhe mashtrimin e shqiptarëve. E di që po kërkoj të pamundurën, por ky është standardi minimal europian, me të cilin Edi Rama nuk ka asnjë lidhje.”