Reshjet e ditës së djeshme, edhe pse shkaktuan përmbytje të mëdha në Tropojë dhe në zona të tjera në Veri të vendit, kanë pasur edhe anën e mirë. Sipas të dhënave më të fundit, shiu i djeshëm ka përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në liqenin e Fierzës, që shërben si rregullator edhe për dy hidrocentralet e mëdhenj mbi kaskadën e Drinit, të Vaut të Dejës dhe të Komanit.

Të dhënat e shpërndara për datën 17 shtator nga Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) tregojnë që niveli i ujit në liqenin e Fierzës u rrit me 1 metër, në 268 metra mbi nivelin e detit ndërsa prurjet mes ditës së djeshme dhe asaj të sotshme pritet të jenë mes 700-1000 m3/s. Ndërkohë që pika optimale në liqen është 271 metër, minimale 244 metra, ndërsa kur ka reshje të bollshme, niveli shkon edhe në 296 metra. Përveç Fierzës, në hidrocentralin e Komanit kuota dje ka shkuar në 167m ndërsa në Vaun e Dejës 72m.

Lajme të mira këto për vendin, në një kohë kur në të gjithë botën pritet një krizë elektrike. Por shiu duket se do ta përmirësojë situatën jo vetëm për Shqipërinë. Lidhur me krizën që pritet në dimër, administratori i KESH, Ergys Verdhi tha se katërmujori i ardhshëm do të jetë i lagësht, gjë që do përmirësojë situatën energjitike në Shqipëri.