Një grup banorësh të Groenlandës, të cilët morën pjesë në një drekë të organizuar nga djali i presidentit të zgjedhur Donald Trump, kanë rezultuar si njerëz të pastrehë, të joshur thjesht nga ofrimi i ushqimit falas. Ndryshe nga sa pretendohej, ku thuhej se ky grup ishte mbështetës i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e vërteta doli të ishte krejtësisht tjetër.

Gjatë vizitës së tij, Donald Trump Jr, shkoi në hotelin Hans Egede për drekë me një grup njerëzish të veshur me kapele “Maga” dhe vendosi babain e tij në altoparlant, teksa dëgjohej president i zgjedhur duke thënë: “Ne do t’ju trajtojmë mirë.”

Megjithatë, shefi ekzekutiv i hotelit, Jorgen Bay-Kastrup ka sqaruar se shumë nga të ftuarit ishin thjesht njerëz që ekipi i tij i kishte takuar në rrugë, të cilët zbuluan më vonë se kush ishte Trump Jr. Grupi prej rreth 15 personash hëngri një drekë tradicionale groenlandeze duke përfshirë peshk dhe karibo.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë publikuar një projektligj të quajtur Akti për ta bërë Groenlandën të Madhe përsëri, i cili do të lejojë administratën e Trump, e cila merr detyrën të hënën, të zhvillojë bisedime për të tentuar të blejë territorin.