Refuzohet dhënia e tapive për 48 familje të persekutuara nga regjimi komunist, nëse nuk paguajnë edhe një herë apartamentin. Shkak paraqitet mungesa e dokumentacionit. Si kaloi çështja nga Bashkia e Durrësit te Enti Kombëtar i Banesave dhe ALUIZNI. Reagojnë të persekutuarit: Nëse duhet të paguajmë sërish, le t’i mbajnë nga lekët që na detyrohet shteti për vuajtjet tona.
Dhjetëra familje që kanë në dorë statusin e të përndjekurve politik të regjimit komunist janë detyruar të paguajnë për privatizimin e banesave në të cilat jetojnë prej më shumë se pesëmbëdhjetë vitesh. Dy objekte të përshtatura nga shkollë e konvikt në strehë familjare për familjet e persekutuara gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri kanë kaluar në proces privatizimi duke detyruar pronarët të paguajnë jo më pak se 5 milionë lekë. Bëhet fjalë për godinën e ish-shkollës së ulët 2-vjeçare profesionale të ndërtimit dhe godinën që ka shërbyer për shumë vite si konvikt i shkollës 2-vjeçare mekanike në Shkozet të Durrësit. Rreth 50 familje, pjesa më e madhe e të cilëve nga shtresa e të përndjekurve politikë, janë sistemuar me vendim të bashkisë së Durrësit, duke e përfituar apartamentin në saj të statusit të veçantë që kanë. Por në fund të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj periudhe të vitit 2012, çdo familje është detyruar të paguajë shuma të mëdha parash për llogari të Entit Kombëtar të Banesave ngase rezulton se apartamenti tyre nuk ka kaluar në proces regjistrimi, ndonëse është njohur legalisht pronësia. Konflikti ka lindur disa muaj para mbylljes së vitit 2011, teksa pronarët e këtyre strehëve të përshtatura për banim janë vënë në dijeni se nuk do të mund të marrin dokumentin e regjistrimit nga zyra e hipotekës nëse nuk paguajnë paraprakisht të gjitha detyrimet. Ky vendim ka shkaktuar reagime ndër të persekutuari, të cilët janë shprehur se privatizimi ka ndjekur disa standarde dhe se ata janë ndëshkuar. Kreu i shoqatës së të burgosurve dhe të persekutuarve politikë në Durrës, Haxhi Hoxha, ka thënë se të persekutuarit do ta apelojnë këtë veprim në qeveri dhe se kanë vënë në dijeni kryetarin e qeverisë, Sali Berisha, duke kërkuar respektimin e të drejtave që fitojnë nga statusi.
Konflikti
Që nga tetori 2011 dhe në vijim familjet e ish të të përndjekurve politik të sistemuar në dy godinat janë përfshirë në një konflikt me Entin e Banesave dhe me Bashkinë e Durrësit. Në godinën që ka shërbyer për disa dhjetëvjeçarë për shkollën e ulët profesionale dhe në ish shkollën profesionale të ndërtimit janë vendosur 48 familje të cilët kanë vuajtur në burgjet e regjimit dhe në kampet e përqendrimit për shkak të ndërgjegjes politike. Në vitin 1996 godinat iu dhanë të persekutuarve, të cilët e përpiluan vet listën e përfituesve në bazë të kritereve. Kryesia e shoqatës së të persekutuarve politikë nuk pati asnjë problem në kohën e hartimit të listës duke bërë të mundur ndarjen me konsuensus të plotë. Përfituesit ishin persona që kanë vuajtur vite të tëra në qelitë e hetuesisë në Durrës, Krujë e Tiranë dhe më pas në burgjet dhe kampet e torturës së rëndë fizike e psikologjike. Kështu u strehuan të përndjekurit e regjimit komunist Njazi Toska, Ismail Krasniqi, Shuaip Baroti, Fejzo Kuçuku, Pëllumb Shehu, Sanije Fejzullahi, Rexhep Gila, Haxhi Hoxha, Ferik Jonuzi, Petrit Allamani e të tjerë të gjithë me status të posaçëm. Dikush përfitoi dhomë e kuzhinë, dikush tjetër më shumë sipërfaqe në bazë edhe të anëtarëve të familjes. Jo pak kryefamiljarë, edhe për shkak të vuajtjeve në burgje e kampe përqendrimi, janë bërë invalidë, duke mos mundur të sigurojnë as minimumin jetik të familjes me të ardhurat nga puna. Të gjithë përfituesit ishin njëkohësisht të pastrehë, ndaj që në vitin 1994 qeveria kishte deklaruar se do të gjente burime financiare për të mundësuar rikonstruksionin e këtyre objekteve dhe përshtatjen për banim, duke ua premtuar të persekutuarve politikë. Por tani kjo shtresë ka hyrë në konflikt, pasi u është kërkuar të paguajnë më shumë se 5 milionë lekë për një objekt që, edhe nëse do të dilte në treg në vitin 1995, nuk do të kushtonte më shumë. Në kohën kur familjarët e morën apartamentin, u është thënë se qeveria u ka mbajtur një përqindje nga letra me vlerë që ata e kanë përfituar si të persekutuar politikë. Konflikti u manifestua në çastet kur banorët kërkuan në hipotekë certifikatën e pronësisë. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës u ka bërë të ditur se objektet janë në pronësi të Entit Kombëtar të Banesave dhe se ata nuk mund të merrnin tapitë nëse nuk përfitonin një dokument blerjeje nga enti i mësipërm. Pas shumë ecejakeve pa asnjë rezultat, ata kanë kërkuar ndihmën e deputetit Eduard Halimi, aktualisht Ministër i Drejtësisë, i cili mori përsipër t’u ofrojë një zgjidhje. Më nismë të deputetit dhe ndërhyrjen institucionale, u bë e mundur që rasti të kalonte në tryezën e specialistëve, të cilët këtë herë e kaluan çështjen nga Enti Kombëtar i Banesave për në zyrën e ALUIZNI-t. Nga këtu fillon gjithçka nga e para, duke lënë të pakënaqur të gjithë përfituesit.
Kontrata
Enti Kombëtar i Banesave ka përpiluar kontratën tip të shitjes së objektit në cilësinë e subjektit shitës. Dosja ka të sistemuar një sërë dokumentesh që duhen plotësuar deri tek e drejta për të përfituar certifikatën e regjistrimit të shtëpisë. Në të janë parashikuar edhe detyrimet e palëve dhe kontrata ka marrë fuqi ligjore. Në këtë rast prona, është thënë nga Enti, blihet sipas VKM 1058, datë 22.12.2010 dhe Udhëzimit numër 19, datë 13.9.2007. Në të theksohet se konvikti i shkollës së ulët të ndërtimit prej katër kate në Shkozet, është në pronësi të Entit. Aty janë vlerësuar edhe detyrimet për hapësirat e përbashkëta si shkallët, tarraca e trotuaret në anë të pallatit që është rikonstruktuar nga fondet e qeverisë norvegjeze dhe “La Vikinga”. Kontrata ka të dhëna për planvendosjen apo planimetrinë, ndërsa ka hapur një numër llogarie për këtë rast. Qeveria norvegjeze ka dhënë 20.3 milion lekë për rikonstruksion, shumë kjo që ka pasur edhe mbështetjen me të tjera fonde nga kompania e lundrimit “La Vikinga”. Vetëm, në konviktin e ish-shkollës së ulët janë rreth 3 mijë m2 sipërfaqe e cila është parcelizuar, duke ua ndarë të persekutuarve. Enti i ka vlerësuar përfituesit siç vlerësohet një objekt i ndërtuar pa leje, objekt që për t’u legalizuar kalon në dorën e ALUIZNI-t. Ky hap nuk ka kënaqur shtresën e të persekutuarve të cilët kanë thënë se ata vijojnë të jenë të pambështetur, duke u ngarkuar mbi shpinë një detyrim që shkon deri në 5 milionë e 400 mijë lekë. Nga halli për të marrë hipotekën, një pjesë e kësaj kategorie përfituesish janë detyruar të paguajnë aq sa u ka thënë Enti Kombëtar i Banesave, të tjerë kanë kthyer sytë nga bankat për një kredi.
HAXHI HOXHA
Shteti të mendojë për strehimin
Kreu i shoqatës së të persekutuarve politikë në Durrës, Haxhi Hoxha, ka bërë të ditur se ka shumë të persekutuar që edhe sot, pas 22 vitesh nga përmbysja e regjimit, janë të pastrehë. Ai sqaron se pakkush ka marrë dëmshpërblimet dhe fare pak janë stabilizuar me punë apo me banesë. Për rastin në fjalë Hoxha është shprehur se të dy objektet janë përshtatur për banim vetëm pasi ka ndërhyrë me fonde qeveria norvegjeze. “Fondacioni human “Ndihmë e popullit norvegjez” ka bërë të mundur rikonstruksionin e konviktit të shkollës mekanike 2-vjeçare duke e përshtatur për banim”,-ka thënë Hoxha. Kryetari i shoqatës ka shkuar edhe më tej duke pohuar se nuk ka asnjë dokument që vërteton se sa është kostoja e pallatit, ndërsa e cilëson të pamotivuar detyrimin e kryefamiljarëve për të blerë për të dytën herë të njëjtin apartament. “Në rastin tonë janë përdorë dy standarde të cilat kanë sjellë edhe pakënaqësinë dhe revoltën”,-thotë kryetari i shoqatës së të persekutuarve. Ai ka parasysh në këtë mes faktin se fare pranë konviktit është edhe godina e ish shkollës 2-vjeçare mekanike bujqësore. Ajo përfitoi fonde për rikonstruksion dhe më pas iu dha të persekutuarve që e kanë edhe sot. “Kjo kategori nuk ka paguar asnjë qindarkë dhe ka tapitë në dorë, kurse kategoria tjetër, ku përfshihem edhe unë dhe që jemi vetëm pak metra më larg se të parët, na duhet të paguajmë më shumë se 5 milionë lekë për të marrë certifikatën”,- thotë i indinjuar Hoxha. Shoqata ka apeluar te kryeministri shqiptar me shpresë se do të mund të marrë një përgjigje pozitive. “Zhdukja e dokumentacionit për të dy objektet nuk është rastësi pasi në bazë të tyre nxirret edhe kostoja e pallatit”,-pohoi Hoxha. Shoqata ka pohuar gjithashtu se Enti Kombëtar i Banesave mund të gjente edhe një rrugë tjetër, pa detyruar të përndjekurit të marrin kredi me interesa shumë të larta në banka apo të marrin borxh për të paguar shtëpinë në të cilën banojnë prej 20 vitesh. “Asnjë i përndjekur nuk ka marrë të gjitha këstet e dëmshpërblimit ndaj qeveria lehtësisht mund t’ua mbante aty dhe të mos u kërkonte të arkëtojnë 5 milionë lekë për llogari të Entit”,-thotë kryetari i shoqatës Haxhi Hoxha. Thuajse të gjithë të persekutuarit kanë në shtëpi edhe letrat me vlerë të cilat nuk janë futur në punë, ndërkohë që në rastin e mësipërm mund të shërbenin. Por atyre u është thënë se edhe kjo do të jetë e pamundur, ndërsa nuk u është shpjeguar një përgjigje e tillë.
PËLLUMB SHEHU
Jam i sëmurë nuk kam para për ilaçe
Ish-i persekutuari Pëllumb Shehu ka lënë shtëpinë e tij tek ish-konvikti, pranë rrethrrotullimit në Shkozet dhe është sistemuar në një banesë periferike të lagjes numër 14, Shkozetit. E ka lënë me qira shtëpinë e tij dhe ka marrë me qira një tjetër. Shkak është bërë gjendja aspak e mirë shëndetësore dhe psikologjike e tij dhe bashkëshortes. Çifti ka dy fëmijë të vegjël dhe jeton në mjerim. Shehu ka vuajtur vite burgu për shkak se u përpoq të arratisej. Për shkak të torturave çnjerëzore ka marrë goditje në kokë duke humbur shpesh edhe ekuilibrin mendor. Në gjendje jo të mirë është edhe bashkëshortja tij. Ai thotë se nuk ka mundësi të paguajë shtëpinë. “Ne e kemi blerë një herë, tani na duhet të nxjerrim lekë të tjera. Unë nuk e kam mundësinë, prandaj ta marrin shtëpinë dhe unë do të jetoj në lulishte me fëmijët”,-shprehet i revoltuar Shehu.
NJAZI TOSKA
Kanë marrë strehë komunistët dhe sigurimsat
Njazi Toska thotë se detyrimi për të paguar shumën e madhe nuk ka asnjë bazë. “Të gjitha gratë e oficerëve, të sigurimit të shtetit, sekretarët e partisë kanë privatizur dyqanet e lokalet ku shisnin në atë kohë, kurse ne nuk paskemi të drejtë të kemi pronësinë nëse nuk paguajmë tani pas 20 vitesh”,-thotë Toska. Edhe pse ka vuajtur si shumë të tjerë në burgjet komuniste, Toska punon roje private pasi nuk është parë asnjëherë e arsyeshme për ta stabilizuar në banesë e në punë. Toska kujton se në kohën e privatizimit të dyqaneve përfituan familjarë të persekutorëve, duke blerë një dyqan me jo më shumë se 10 mijë lekë. “Ne regjimi komunist na mori jetën, na rrëmbeu rininë dhe na ndau për së gjalli nga familja, kurse tani sigurimsat e asaj kohe janë bërë pronarë ndërsa ne nuk kemi akoma strehë mbi kokë”,-tha i persekutuari Njazi Toska. Më tej ai ka thënë se qeveria duhet t’ia mbajë detyrimin, nëse bëhet fjalë për detyrim, në shumën e parave që duhet t’u japë të persekutuarve. Kanë marrë shtëpi në të njëjtin pallat me të persekutuarit edhe persona apo familje të atyre që kanë ndëshkuar politikisht të persekutuarit, veprim që ka irrituar jo pak shtresën e shoqatës. “Se mirë, se keq, sytë e veshët i kemi tek kryeministri tek i cili shpresojmë të marrim përgjigje”,-thotë Toska. Ai është i bindur dhe i sigurt se as me gjyq Enti nuk mund të detyrojë familjarët të paguajnë tani pas 15 vitesh në një kohë që e kanë paguar shumën në kohën kur apartamentet janë ndarë. “Qeveria na ka nga 50 milionë lekë, le të na i mbajë nga kjo shumë”,-pohon Toska i pakënaqur nga një veprim i tillë.