Europa bëhet. Sigurisht që bëhet. Por duke përdorur frikën. E duke e lënë fuqinë e vërtetë në duart e tregjeve financiare. Shumë opinionistë shkruajtën, të nesërmen e krizës së 2008-ës, se Shtetet do të merrnin masa mbrojtëse për të shmangur një tjetër goditje nga problemet e krijuara nga sektorin bankar. Ndodhi pikërisht e kundërta: sot më shumë se kurrë, Europa është peng i spekullimeve, qoftë direkte (banka akoma në vështirësi), qoftë indirekte (shtete me buxhete të fundosura në shifra minus për të shpëtuar institutet e kreditit ose në çdo rast për shkak të krizës që ato vetë kanë krijuar). Jemi duke u kthyer në një situatë, që ngjan shumë me atë të para Revolucionit francez, kur një kastë të pasurish qëndronte mbi të gjithë dhe nuk paguante kurrë.

Vendet tona nuk janë më as sovrane, as të drejta, as demokratike. Demokracia e vërtetë nënkupton marrjen e përgjegjësisë dhe një raport shkak-pasojë mes popullit dhe të zgjedhurve. Tashmë pushteti i vërtetë është në duart e një bote financiare që nuk respekton rregullat e vendosura dhe aq më pak shtetin e së drejtës. Dhe po zyrtarizon një zakon të rrezikshëm: atë që u jep të drejtë bankave të shkarkojnë mbi qytetarët e pafajshëm, gabimet e tyre. Ato gabojnë ne paguajmë, ato barazojnë shpejt buxhetin e tyre, arkëtojnë bonuse milionere, ndërsa popujt janë të detyruar të vuajnë masa shtrënguese të çmendura për vite e mbase dhjetëvjeçarë, në kushte, nganjëherë, të skllavërisë moderne. Atij që guxon të protestojë i mbyllet goja me shantazhin suprem: ose kështu ose bie Greqia. E nëse bie Greqia, bie e gjithë bota. Pra më mirë të sakrifikohen pak për të mirën e të gjithëve.  

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore do të duhej të viheshin nën hetim dhe të detyroheshin për t'u përgjigjur për gabimet e tyre. Përkundrazi, nuk do të ndodhë asgjë, sepse duke qenë sipërkombëtare, nuk i nënshtrohen asnjë tipi kontrolli ose verifikimi. Lind kështu një diktaturë e padukshme, që nuk sfidon hapur demokracinë dhe sovranitetin kombëtar, por e zbraz në mënyrë progresive nga përmbajtja dhe i kthen qytetarët në skllevër, skllevër modernë të burgosur përgjithmonë nga borxhet. Në emër të progresit dhe të konsumizmit. Kjo është kanosja e vërtetë për të gjithë ne. Ose më mirë: për atë që do dhe ka inteligjencë të kuptojë.

Rasti italian  

Si në një skenar, kërcënimi nga një stuhi financiare përdoret nga organizmat ndërkombëtare, në rradhë të parë Bashkimi Europian, për t'u grabitur vendeve të veçanta feta të tjera sovraniteti ose për të ndikuar mbi kontekstet politike kombëtare. Duke qenë se disa personazhe të fuqishme italianë, me ndihmën deçizive të disa lobeve financiare europiane, donin të detyronin Silvio Berluskonin të largohej – duke detyruar Lega Nord të zgjidhte mes asimilimit të moderuar dhe përjashtimit – element deçiziv ka qenë, edhe një herë, ai financiar. Siç e dimë, Italia është gjithnjë në limb, fuqi industriale, me shumë pasuri private dhe me pak borxhe familjare, por që çalon nga borxhi publik. Është gjithmonë në rrezik. Por a ka ndodhur ndonjë gjë për të justifikuar stuhinë e këtyre ditëve? Përgjigja është jo. Teknikisht Italia nuk është më keq sesa gjashtë muaj më parë dhe, madje, manovra financiare e miratuar nga qeveria Berluskoni ishte më e gjerë sesa parashikimi. Ky veprim duhet të ishte qetësues, por Bursat dhe Btp (Bonot e Thesarit) vazhdojnë rënien. Pse? Duhet kuptuar si funksionojnë tregjet në raste të tilla.

Ata që drejtojnë tregjet janë disa banka investimi dhe disa “hedge” (fonde spekulluese), që kanë një fuqi shkatërruese nëse ushtrohet vetëm në një drejtim, pra kundër një vendi. Sot është e qartë se një pjesë e botës financiare kërkon të fundosë Italinë. Unë nuk e di me siguri cila është arsyeja e këtij tërbimi, por më duket se nuk bazohet në shqetësime objektive. Në të vërtetë, tregu financiar është në kërkim konstant të pretekseve për të rrëzuar Italinë. Një preteks ishte manovra financiare e ish-ministrit të financave, Guilio Tremonti, një tjetër pretekst është fakti se asetet e bankave italiane janë përbërë nga bono shtetërore në rreth 20%, fakt që nuk duhet të na befasojë, por konsiderohet si faktor rreziku; gjë që është absurde: nëse Italia do të falimentonte, bankat sigurisht nuk do të shpëtonin, por në këtë moment u pëlqen ta prezantojnë si variabël rreziku. Nga të trembja në frikë, nga frika në ankth, nga ankthi në panik për mbajtjen e fondeve publike ose deri të euros. Pretekstet nuk u ndalën deri në paralajmërimin e fundit të krizës: rënia e Berluskonit. Iku Silvio, erdhi Monti, domethënë një personazh i pëlqyer në mjediset financiare ndërkombëtare. Kështu, qeveria teknike e Mario Montit u imponua nga lart, por duke ruajtur pamjen, në emër të “interesit suprem kombëtar”, duke konstatuar se “me Italinë në mes të stuhisë financiare nuk mund t’i lejojmë vetes as një qeveri e arnuar, as zgjedhje të parakohshme”.

E vërteta është se sot Italia nuk është më një vend sovran, por një vend që ka iluzion për sovranitet. Nuk kontrollon më as monedhën, as territorin, as kufinjtë, as imigracionin. Nuk mund të vendosë mbi politikën e vet ekonomike pa marrë më parë leje nga Brukseli. Edhe parlamenti duhet të kërkojë më parë autorizimin e Bashkimit Europian para se të aprovojë çfarëdo lloj ligji, duke qenë se direktivat e BE-së vijnë përpara atyre kombëtare. Ta themi qartë: Italia është një vend i përgjysmuar, që i ka dorëzuar një pjesë të madhe të pushtetit të vet ekzekutiv, civil dhe legjislativ një Europe që nuk është akoma as Shtet, as Federatë, që nuk i përgjigjet drejtpërdrejtë popullit, që vendos mbi bazën e mekanizmave të ndërlikuara dhe pothuajse gjithmonë të padepërtueshëm, por sigurisht nuk janë plotësisht demokratikë. Një entitet i çuditshëm, i dënuar nga komentatorët për brishtësinë, jo efektshmërinë dhe indiferencën e tij, por që, de facto, tashmë komandon.  

Deri pak kohë më parë thuhej se: Italia ka shumë borxhe, por Bot, Cct dhe Btp (bono shtetërore) blihen sidomos nga kursimtarët italianë. Kështu edhe nëse Italia do të falimentonte, çmimin për këtë do t'a paguanin vetëm qytetarët italianë. Dhe ishte e vërtetë: në 1991, 94% e bonove shtetërore italiane zotëroheshin nga italianët dhe vetëm 6% nga të huajt. Por që kur Italia u bashkua me Traktatin e Maastricht dhe më pas me eurozonën, vit pas viti ky skenar ndryshoi. Sot 51.4% e bonove shtetërore zotërohet nga të huajt, ndërsa 48,6% është në duart e italianëve; por kujdes, nuk janë më kursimtarë, por kryesisht banka dhe shoqëri sigurimesh. 

Rezultati: Italia sot është nën shantazh sepse, pasi humbi sovranitetin monetar, humbi edhe kontrollin e borxhit publik, që nuk zotërohet më nga qytetarët. Dhe gjithçka ndodhi para syve të klasës politike naive, që nuk kuptoi se çfarë po ndodhte, me miratimin e fshehtë të Bankës së Italisë dhe me miopinë e mediave, që këto tema ekonomike nuk i kuptojnë e për këtë arsye nuk i shpjegojnë kurrë.  

Sot Italia nuk është më zot e fatit të saj dhe nuk mund as të vendosë të falimentojë duke marrë mbi vete përgjegjësinë. Duhet t'u bindet kreditorëve; pra të ulë kokën duke miratuar masa ekstreme që do të varfërojnë vendin pa krijuar rritje ekonomike, ose të vetëvritet si Greqia apo Argjentina. Pra vendi ka rënë në grackë dhe faji i mbetet atyre, që nuk kuptuan se çfarë ishte euro dhe çfarë pasojash do të kishte mbi ekonominë reale, që zgjodhën anëtarësimin me çdo kusht, duke sfiduar logjikën. Dhe logjika sugjeronte se Italia nuk ishte gati.  

Rasti grek

Teza ime është se sistemi i euros është i kalbur dhe është absurde të detyrohen vende me ekonomi shumë të ndryshme të bashkëjetojnë, duke u imponuar arbitrarisht pesë kriteret e vlerësimit të Maastricht e duke injoruar gjithë të tjerët. Sipas mendimit tim kriza justifikohet në vende si Irlanda, Greqia e Portugalia: e para po paguan çmimin e një super-liberalizmi jo real, që ka krijuar më shumë borxhe sesa mirëqënie, ndërsa Athina dhe Lisbona në të vërtetë nuk kanë plotësuar asnjëherë kushtet për euron dhe tani gjenden në një pozicion që nuk u përket. E thënë troç: nuk duheshin futur në zonën euro. Në këtë pikë, ose bashkohemi në një Shtet të vetëm dhe, në këtë mënyrë, ankthet e Greqisë dhe të Portugalisë humbasin fuqinë e tyre shkatërruese, duke u kthyer në probleme të kufizuara rajonale, ose ka shumë rreziqe, si shkatërrimi i të gjithë sistemit ose grabitja dhe varfërimi i disa shteteve: sot Greqia ka litarin në fyt, ndërsa kur përdorte dhrahminë arrinte t’ia dilte mbanë edhe pse monedha po zhvlerësohej. A ia vlente barra qeranë të pranonte euron?

Për më tepër, ajo që ende nuk ka dalë në pah është çmimi që qytetarët grekë do të duhet të paguajnë. Bashkimi Europian ka detyruar një program për të reduktuar në mënyrë drastike defiçitin me masa shtrënguese që parashikojnë shkurtime në shëndetësi, arsim, pensione dhe, mesa duket, shtim taksash. Pra, kërkon lotë dhe gjak. E po mirë, thonë të gjithë, nëse është për të evituar falimentimin. Por cila do të jetë e ardhmja? Cilat janë perspektivat e Greqisë pasi të vërë rregull në financat e saj? Cilët do të jenë sektorët ekonomikë pararojë? Askush nuk flet për atë që do vijë më vonë. Grekëve u kërkohet të shtrëngojnë rripin, por as BE, as FMN nuk janë në gjendje të tregojnë një rrugë drejt pasurimit dhe mirëqënies, shumë të vështira për tu krijuar në një vend të vogël dhe të prapambetur siç është Greqia.

Çdo lideri duhet t’i lexohet me kujdes biografia për të mos harruar kurrë origjinën e tij. Marrim ish-kryeministrin Papandreu. Eshtë grek? Pa dyshim, por vetëm përgjysëm. Nëna e tij është amerikane dhe ai ka studiuar në Amerikë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por duhet të dini që njëzet vitet e fundit kishte krijuar raporte shumë të mira me disa ambiente financiare anglosaksone. Duke parë peripecitë e tij të çuditshme kur shpalli masat “lotë e gjak”, pastaj kur mohoi gjithçka kishte bërë deri atëherë, kur shpalli referendumin dhe pastaj kur e anulloi atë, shtrohet pyetja nëse Papandreu po i shërben popullit grek apo logjikave e interesave të tjera? Është vërtet kaq skandaloze që një vend, Greqia, mendon të pyesë popullin për të vendosur të ardhmen e vet? Referendumi siç duket nuk do të mbahet, por duhet të ishte organizuar kohë më parë, ndërsa Europa ndërtohej mbi kokat e qytetarëve, duke marrë herë pas here pjesë të rëndësishme të sovranitetit kombëtar, natyrisht duke mos e deklaruar asnjëherë hapur, por duke fshehur qëllimet e saj. Europa e euros, e Schengen-it, e Maastricht është një Europë me tendencë jo demokratike dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve, por jemi kaq të hipnotizuar nga ecuria e bursave sa nuk e vërejmë aspak. Ndërsa mendojmë vetëm për ecurinë e tregjeve, rrezikojmë të humbasim edhe atë pak që na ka mbetur nga liria dhe autonomia jonë vendimmarrëse…  

Konkluzione

Europa ka problemet e saj, por i sëmuri i vërtetë janë Shtetet e Bashkuara, defiçiti i të cilit rritet ashtu si ai grek. Borxhi publik amerikan është i papërballueshëm dhe në Washington e dinë mirë këtë gjë. Për më tepër, prej disa muajsh kinezët zvogëlojnë blerjet e bonove të thesarit amerikan dhe ka një problem konkret financimi. Kriza greke është e qartë, por dramatizimi i saj jo, mbi të gjitha nëse merret parasysh se etapat më të rëndësishme të saj (domethënë sulmet nga spekullimi) u shënjuan nga agjensitë amerikane të vlerësimit të rriskut, me lajmërimet e tyre shpesh të pajustifikuara, por me përpikmëri të jashtëzakonshme. Ishte si t’i hapnin rrugën fondeve spekulluese dhe atyre që vinin bast kundër Europës. Ka dyshime se kjo krizë do të shfrytëzohet për të mbështetur borxhin publik amerikan, duke i shtyrë investitorët të mendojnë: përballë një Europe që gati po shpërthen, janë më të mirë dollarët dhe bonot e thesarit të SHBA-së. E si rastësisht pikërisht kjo gjë po ndodh.

Nxënës i të madhit Indro Montanelli, Marcello Foa ishte i dërguari special dhe kryeredaktor i sektorit të jashtëm të së përditshmes “Il Giornale”. Ka bashkëpunuar me shumë rrjete radiotelevizive, veçanërisht me BBC Radio, Rai Radio 3, Radio 24, Rai 1, RSI, Italia 1, Rete 4. Në vitin 2004 themeloi, me profesor Stephan Russ-Mohl, Observatorin Europian të Gazetarisë. Për momentin jep lëndën Gazetari ndërkombëtare dhe Komunikim në Universitetin e Zvicrës italiane në Lugano dhe në Universitetin Katolik në Milano.