ADDIS ABABA – Çfarë ka përgatitur e ardhmja për ekonominë globale? A do të rriten standardet jetësore kudo nëpër botë, ndërsa shtetet e varfra të së sotmes do t’i mbështeten një teknologjie për t’i arrirë shtetet e pasura? Apo ndoshta periferia do të rrëshqasë prej gishtërinjve tanë, ndërsa lakmia dhe korrupsioni na çojnë drejt zbrazjes së burimeve jetësore dhe degradimit të ambientit natyror, nga i cili mirëqenia njerëzore është e varur? Njerëzimi përballet me sfidë hiç më të madhe se të sigurojë një botë prosperiteti, e jo një botë që shtrihet mbi rrënoja. Si një novelë me dy përfundime të mundshme, rrëfimi ynë është ai që ende duhet të shkruhet në këtë shekull të ri. Nuk ka asgjë të pashmangshme në përhapjen – apo shkatërrimin – e prosperitetit.

Më shumë se sa dimë (apo mbase kujdesemi ta pranojmë), e ardhmja është një çështje e zgjidhjes njerëzore, e jo një parashikim i thjeshtë. 

Përkundër krizës së vazhdueshme ekonomike në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bota në zhvillim ka mbajtur tempin e rritjes së shpejtë ekonomike. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritjen e ekonomive të avancuara deri në 1.5 për qind në vitin 2013, rritja e shteteve në zhvillim projektohet të arrijë deri në 5.6 për qind. Ekonomitë në zhvillim të Azisë, tani prijëset në botën në zhvillim, pritet që të rriten deri në 7.2 për qind, me prodhimin në Afrikën nënsahariane që pritet të rritet deri në plot 5.7 për qind.

Ajo që po ndodh është si e fuqishme ashtu edhe e qartë. Teknologjitë që dikur gjendeshin vetëm në shtetet e pasura tani i përkasin të gjithë botës. Rrjeti i telefonave celularë në Afrikën nënsahariane, për shembull, kishte një mbulim prej afro zero për qind 20 vjet më parë, ndërsa sot ka arritur në rreth 700 milionë. Dhe këta telefona po ndihmojnë në depërtimin e shërbimeve bankare, të përkujdesjes shëndetësore, arsimimit, biznesit, të shërbimeve qeveritare dhe argëtimit për të varfrit. Brenda pak vitesh, pjesa më e madhe e botës do të ketë qasje në rrjetin e Internetit pa tel. 

Mirëpo është edhe një e vërtetë po ashtu. Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në SHBA. Thatësira preku rreth 60 për qind të shteteve amerikane, përfshirë edhe ato kryesore të Perëndimit të mesëm dhe të Great Plains. Në tetor, një “superstuhi” e jashtëzakonshme goditi brigjet detare të Atlantikut përreth New Jersey, duke shkaktuar humbje prej rreth 60 milionë dollarësh. Problemet klimatike – vërshimet, thatësira, valët e temperaturave të larta, stuhitë ekstreme, zjarret masive të maleve dhe të tjera – kanë shkatërruar po ashtu edhe shumë pjesë të tjera të botës në vitin 2012, përfshirë këtu Kinën, Australinë, Azinë Juglindore, Karaibet dhe rajonin Sahel të Afrikës. 

Këto katastrofa ambientale po ndodhin gjithnjë e më shpesh, ndërsa pjesërisht shkaktohen nga veprimet njerëzore, siç është shpyllëzimi, erozioni bregdetar, ndotja masive, dhe, natyrisht, lirimi i gazrave serrë, të cilat po ia ndryshojnë klimën botës dhe po i acidifikojnë oqeanet. Ajo që është e re është ndëshkimet sikurse ai i ndryshimit klimatik – deri para pak kohësh i përshkruar si një kërcënim i së ardhmes – tani janë rreziqe të qarta dhe aktuale. Shkencëtarët madje edhe ia kanë vënë emrin epokës sonë, Antropocene, në të cilën njerëzimi (“anthropos” nga greqishtja) ka një ndikim të jashtëzakonshëm në ekosistemin e planetit. 

Pikërisht këtu dhe qëndron sfida jonë më e madhe – ajo që do të përcaktojë nëse do të ndjekim shtegun e prosperitetit apo shkatërrimit. Shtetet në zhvillim që rriten me shpejtësi nuk mund thjesht të ndjekin shtegun e rritjes ekonomike nëpër të cilin kanë udhëtuar shtetet e pasura të së sotmes. Në rast se përpiqen, ekonomia e botës do ta shtyjë planetin përtej kushteve të sigurta operimi. Temperaturat do të rriten, stuhitë do të intensifikohen, oqeanet do të acidifikohen edhe më shumë dhe speciet do të zhduken me të madhe, ndërsa vendbanimet e tyre do të asgjësohen. 

Fakt i thjeshtë është se njerëzimi po përballet me një zgjidhje të zorshme. Në rast se shtegu aktual i rritjes së ekonomisë botërore vazhdon, atëherë do të përballemi me katastrofë ekologjike. Në rast se ekonomia botërore përqafon një shteg të ri të rritjes – atë të shfrytëzimit të teknologjive si telefonat e mençur, saktësinë agrokulturore dhe energjinë diellore – në mënyrë që të mund të përhapim prosperitet ndërsa e shpëtojmë edhe planetin. 

Unë e quaj shtegun e sotëm të rritjes një opsion “biznesi si zakonisht: shtegu i rritjes me teknologji të mençur, për dallim, respekton opsionin e zhvillimit të qëndrueshëm. Biznesi si zakonisht mund të funksionojë për ca kohë, mirëpo do të përfundojë me lot, ndërsa shtegu i zhvillimit të qëndrueshëm mund të çojë drejt prosperitetit afatgjatë. 

Kështu që, çfarë do të duhet që ta shkruajmë një fund të lumtur? E para, duhet të pranojmë se, si një shoqëri globale, kemi një zgjidhje për të bërë. Biznesi si zakonisht është i rehatshëm. Mendojmë se e kuptojmë. Megjithatë, jo mjaftueshëm mirë: në trajektoren tonë aktuale, prosperiteti afatshkurtër po vjen me një çmim të lartë për shumë kriza të ardhshme. 

E dyta, duhet të pranojmë mjete të reja të fuqishme dhe teknologji, të cilat i kemi në shuplakën e dorës. Me përdorimin e teknologjive të avancuara informative – kompjuterëve, hartave satelitore, procesimit të fotografive, ekspert-sistemeve dhe më shumë – ne tani i kemi mjetet për të siguruar më shumë ushqim me më pak dëme ambientale; të përmirësojmë shëndetin publik për të pasurit dhe të varfrit po ashtu; të distribuojmë më shumë energji elektrike me më pak gazra serrë të emetuar dhe t’i bëjmë qytetet tona vende më të përshtatshme për jetesë dhe më të shëndetshme, edhe pse urbanizimi do t’ua rrisë popullatat atyre deri në miliarda banorë në dekadat në vijim. 

E treta, duhet të caktojmë caqe të vendosura për vitet në vijim – për të përhapur prosperitet dhe përmirësuar shëndetin publik, ndërsa e shpëtojmë planetin. Pesëdhjetë vjet më parë, presidenti amerikan, John F. Kennedy, tha se duhet të shkojmë në hënë jo për shkak se një gjë ishte e lehtë, por për shkak se ishte e vështirë – e kjo gjë e testoi më të mirën prej nesh. Në gjeneratën tonë, zhvillimi i qëndrueshëm do të jetë testi ynë, ai që na inkurajon të përdorim kreativitetin dhe vlerat tona njerëzore për ta krijuar një shteg të mirëqenies së qëndrueshme në planetin tonë të mbipopulluar dhe të rrezikuar. 

Jam krenar dhe i nderuar për faktin se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, më ka kërkuar ta ndihmoj në mobilizimin e botës, ndërsa synojmë ta arrijmë këtë qëllim. Talentet më të mëdhenj në shoqëritë tona – nëpër universitete, biznese, organizata joqeveritare dhe veçanërisht në mesin e popullatës së re të botës – janë të gatshëm që të merren me sfidat tona më të mëdha dhe po i bashkohen Rrjetit të ri të zgjidhjeve për zhvillimin e qëndrueshëm të OKB-së. Në muajt dhe vitet që kemi përpara, këta liderë do të ndajnë vizionet e tyre për shoqërinë prosperuese dhe të qëndrueshme globale. 

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm, profesor i politikave shëndetësore dhe menaxhimit dhe drejtor i Institutit të Tokës në Universitetin e Columbias. Ai është po ashtu këshilltar special i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për synimet e zhvillimit të mijëvjeçarit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate)