PRESHEVE – Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të shtunën do të sjellin vendimin politik lidhur me fatin e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë. 

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaroi se vendimi do të sillet në një mbledhje të përbashkët të 65 këshilltarëve komunalë të tre komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. 

“Lidhur me fatin e përmendores së dëshmorëve të UÇPMB-së do të vendoset të shtunën më 12 janar, ku do të tubohen 65 këshilltarët e tri komunave dhe do të jenë të ftuar ambasadorë të shumë vendeve të BE-së dhe SHBA-ve, të akredituar në Beograd”, ka deklaruar kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa. 

Vendimi për mbledhjen e përbashkët të tri komunave ka ardhur pas një takimi tre orësh që u zhvillua në Preshevë, ku ishin të pranishëm kryetari i Preshevës Ragmi Mustafa, deputeti Riza Halimi, kryetari i LPD-së Jonuz Musliu, kryetari i UDSH-së Rahmi Zulfiu, kryetari i BDSH-së Skender Destani, kryetari i PD-së Nagip Arifi dhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇPMB-së, Ramadan Ismaili. 

Përmendorja me emrat e 27 dëshmorëve të rënë të UÇPMB-së dhe UÇK-së u vendos më 16 nëntor 2012 në qendër të Preshevës pranë ndërtesës komunale. Vetëm disa ditë pas inaugurimit të saj, kryeministri serb, Ivica Daçië paralajmëroi rrënimin e saj apo heqjen vullnetare nga ana e atyre që e kanë vendosur, duke theksuar se vendosja e saj është provokim ndaj shtetit serb. 

Dacic ka paralajmëruar se 17 janari është afati përfundimtar për heqjen e përmendores, dhe se heqjen e saj ai e ka kushtëzuar me pjesëmarrjen e tij në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.