Të festosh 70-vjetorin e teatrit në një ambient akull të ftohtë.

Kjo ndodhi të mërkurën, kur dhjetëra personalitete të artit u mblodhën në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për të asistuar në ceremoninë gala, që ishte organizuar me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm.

Prej kohësh, sistemi i ngrohjes së teatrit është jashtë funksionit. Kushdo që ka ndjekur në sallë aktivitete të ndryshme kulturore përgjatë këtyre muajve nuk i ka shpëtuar ky detaj.

Në Durrës, arti “shijohet” në të ftohtë përgjatë muajve të dimrit.

E ndërsa atmosfera në teatër ishte mjaft e bukur një ditë më parë, pasi artistët po i gëzoheshin festës së tyre, emocionet që ata transmetonin tek publiku nuk arrinin të shkrinin të ftohtin që shumë prej të pranishmëve ndjenin gjatë gjithë spektaklit.

Kjo gjë u vu re nga të gjithë pjesëmarrësit. Është ftohtë. Këtë nuk kemi sesi ta mohojmë. Ne kishim menduar që sot të kishim një premierë, por nuk arritëm ta realizonim sepse jemi në kushte jo të favorshme për publikun. Dua të jap një lajm të mirë, do të nisim provat për një komedi të Molierit “Borgjezi fisnik”, që do ta vëmë në skenë më 12 prill.”,- tha regjisorja Driada Dervishi.

Por duket se ambienti i ftohtë, nuk është shqetësimi i vetëm për artistët.

Aktori Xhelal Tafaj ngriti shqetësimin për punën e munguar të Drejtorisë së Kulturës në bashki për t’i dhënë zgjidhje problematikave.

“Kjo është punë e të gjitha hallkave, duke nisur nga drejtori i institucionit. Ky që është tani ka predispozicionin për të bërë, por është puna tek të tjerët, hallka të tjera të bashkisë. Ato që mbulojnë sektorin e kulturës, çfarë bëjnë? Unë nuk di të kenë ardhur ndonjëherë të kenë bërë ndonjë takim, të marrin në analizë punën etj. Kjo është ajo që çalon”,- tha Tafaj.

Vëmendjen e munguar ndaj artit e ngriti gjatë fjalës së tij edhe regjisori Haxhi Rama, i cili kërkoi ndarjen e Qendrës Kulturore dhe teatrit, pasi të dyja identifikohen prej vitesh me terminologjinë Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

M.B.