Telefoni tashmë është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, për shkak të punës, detyrave, informimit apo edhe për të plotësuar nevojat dhe dëshirat tona personale.

Shpeshherë njerëzit nervozohen pasi bateria e telefonit të tyre harxhohet shumë shpejt, pavarësisht se ata mund ta karikojnë disa herë në ditë.

Mirëpo përdoruesit e iPhone-it e kanë mundësinë të kontrollojnë shëndetin e baterisë së tyre përmes opsioneve që ofron sistemi operativ Ios, duke hapur fillimisht aplikacionin e ‘Settings’, pastaj shkoni tek opsioni ‘Battery’, pasi të keni prekur këtë buton shkoni tek funksioni tjetër “Battery Health & Charging”.

Mirëpo në disa raste bateria e iPhones tuaj duhet ndërruar, po kur duhet ta bëjmë këtë?

Sipas 9To5Mac, kur bateria e telefonit tuaj të bjerë nën 80 për qind të kapacitetit të saj origjinal duhet ndërruar.

Apple thotë se bateritë e iPhone-t janë “të dizajnuara të ruajnë 80 për qind të kapacitetit origjinal në 500 cikle të plota ngarkimi kur funksionojnë në kushte normale”.

Kur një bateri e iPhone-t bie nën 80 për qind të kapacitetit të saj origjinal, një veçori e quajtur “menaxhimi i performancës” mund të zbatohet automatikisht. Kjo funksionon për të ndihmuar në parandalimin e ndaljes së papritur të telefonave.