Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”. Dy raste të tjera të shitjes së lëndëve narkotike në doza, në Lezhë dhe në Mirditë janë goditur nga policia.

Mësohet se janë sekuestruar  68 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, të gatshme për shitje dhe municion luftarak.

Në qytetin e Lezhës, gjatë kontrollit fizik ndaj personit  S. L., 26 vjeç, banues në Pukë, policët gjetën doza kannabis sativa, të gatshme për shitje.

Ndërsa në Mirditë, gjatë kontrollit fizik ndaj N. Rr., 31 vjeç dhe kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhjetëra doza kannabis sativa, të gatshme për shitje, si dhe një sasi municioni luftarak.

‘Si rezultat i veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë konstatuar dhe goditur 2 raste të tjera në këtë fushë. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë këta 2 shtetas, ndërsa sasitë e lëndës narkotike (në total 68 doza) dhe sasia e municionit luftarak, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale“, sipas policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për dy personat.