Matteo Berrettini është tenisti më i mirë italian për momentin. Sot fitoi 3-1 (6-3, 6-0, 6-7, 6-4) ndaj polakut Hubert Hurkacz dhe është kthyer në italianin e parë që arrin në finalen e Wimbledon (11 korrik, 15:00).

Triumf fantastik për 25-vjeçarin nga Roma, i cili ka bërë krenar një komb të tërë me arritjen e tij historike. “Nuk kam fjalë, sinqerisht. Do të më duhen disa orë për të kuptuar realisht se çfarë ka ndodhur.

Zhvillova një ndeshje të madhe dhe ndihem shumë i lumtur. Nuk e kisha ëndërruar kurrë që një ditë do të luaja një finale në Wimbledon, por ja që ia dola. Faleminderit të gjithëve.

E diela do të jetë një ditë e madhe, uroj të bëj më mirë. Më duhet të besoj te suksesi, sigurisht që do e marr flamurin italian me vete“, u shpreh Berrettini pas suksesit të madh.

Në finale do të përballet me Novak Djokovic. Tenisti serb mposhti jo pa vështirësi 3-0 (7-6, 7-5, 7-5) në gjysmëfinale kanadezin Denis Shapovalov.