Astrit Sinanaj, 49-vjeç është vënë në pranga nga policia, në zbatimin të urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e tij. Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi dënimin e tij me 22 vjet burgim, ku i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vite.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ekzekutuan urdhrin e Prokurorit, datë 13.06.2025, për ndalimin e shtetasit Astrit Sinanaj, 49 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Sinanaj u dënua më 8 korrik 2020 për vendosjen e tritolit në automjetin e biznesmenit Fuad Verzivolli. Ngjarja ndodhi në lagjen ”Luigj Gurakuqi”, pranë Teatrit Skampa Elbasan. Asokohe policia mundi të çaktivizonte pakon e dyshimtë që përmbante brenda një kg tritol C4, që do të hidhej në erë në mënyrë të telekomanduar.
Sinanaj nuk u dorëzua dhe disa ditë më vonë organizoi një tjetër atentat, duke vendosur tritol në derën e lokalit të biznesmenit Verzivolli në Elbasan, por sërish tentativa e tij dështoi.
Personi tjetër i pandehur në këtë çështje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, Thanas Thoma, një ish-punonjës kazinoje në Elbasan, është dënuar me 10 muaj burgim. Thoma kishte dijeni se Sinanaj kishte tentuar të vriste me tritol biznesmenin Fuad Verzivollin, atentat që sipas të dënuarit ishte financuar nga Florenc Çapja.