Blutë e qytetit të Krujës kanë prangosur 39 vjeçarin Gazmend Prapaniku, që mbrëmjen e 17 shtatorit ka qëlluar me thikë komshiun e tij.

Burime policore sqarojnë se autori i plagosjes ka qëlluar në fillim në ajër me armë dhe më pas ka goditur me thikë komshiun e tij 49 vjeç, N.S.

Mësohet se ky i fundit ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Sipas hetimeve të para, ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit. Në shtëpinë e autorit të plagosjes janë gjetur e sekuestruar një armë gjahu, fishekë dhe një thikë.

 

Njoftimi i Policisë së Durrësit

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Krujë, pas një pune hetimore intensive kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të një ngjarje të ndodhur mbrëmjen e datës 17.09.2016, ku kanë arrestuar në flagrancë autorin, konkretisht shtetasin:

• Gazmend Prapaniku, 39 vjeç , banues në fshatin Gramëz, Krujë.

Arrestimi në flagrancë i tij u bë pasi:

Më datë 17.09.2016, rreth ores 22:30,  gjatë një konflikti te çastit ka goditur me thikë në trup komshiun e tij,  shtetasin N.S. 49 vjeç.

Për pasojë, i dëmtuari ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Gazmend Prapaniku ka qelluar një herë në ajër me armë gjahu në oborrin e banesës së tij dhe më pas ka ofenduar dhe plagosur me thikë shtetasin N.S. Ky I fundit kishte në dorë një mjet prerës.

U gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• një armë gjahu;
• 9 fishekë arme gjahu;
• një thikë;
• mjet prerës dhe
• një gëzhonjë arme gjahu

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë , “Mbajtja pa leje të armëve të ftohta”, “Mbajtja pa leje të armëve të gjahut” dhe “Prishja se qetësisë publike” parashikuar në nenet 76, 22 , 279, 280 dhe 274  te Kodit Penal.