8 gusht 2015 – Pjesë e shërbimeve për të përballuar këtë periudhë fluksi pasagjerësh në portin e Durrësit padyshim është dhe ofrimi i ndihmës mjekësore nëpërmjet qendrës shëndetesore ambulatore, e cila funksionon 24 orë në terminalin e trageteve duke pasur në dispozicion edhe një autoambulancë. Pranë kësaj qendre shërben një personel prej gjashtë vetësh, dy mjekë, dy ndihmësmjekë dhe dy shoferë të autoambulancës.
Burime portuale bëjnë me dije se në këtë qendër paraqiten dhe kërkojnë ndihmë mjekësore mesatarisht 4 – 5 raste në ditë, kryesisht me simptoma të tilla si gjendje lipotemie (të fikti), raste dehidratimi, probleme të tensionit arterial etj, ndërkohë për rastet që paraqesin komplikacione ato dërgohen menjeherë në spitalin rajonal të Durrësit për trajtim mjekësor më të specializuar.
Ngritja e kësaj qendre shëndetësore ambulatore në terminalin e trageteve u bë realitet dy vjet më parë si rezultat i një marrëveshjeje midis APD-së dhe spitalit rajonal Durrës me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve që zgjedhin të udhëtojnë përmes portit të Durrësit.
/M.F. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/