Punimet në terminal po kalojnë fazat e kolaudimit. Sistemet e kamerave të policisë, doganës etj, por edhe kolaudimi i urës, po kalohen në sitë për të garantuar një funksionim normal të punës. Kushtet komode që ofron ky terminal do të jenë një shkëndijë e mirë për të afruar sa më shumë pasagjerë në portin e Durrësit
Terminali i ri i pasagjerëve pritet të përurohet dhjetëditëshin e parë të muajit korrik. I paralajmëruar të përurohej gjatë megafestës “Open Port”, inagurimi i tij është shtyrë për ditët e para të korrikut. Pasi kanë përfunduar të gjitha punimet, specialistët janë duke u marrë me fazën e kolaudimit, në mënyrë që ditën që do të hyjë në funksion gjithçka të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Përmirësimi i cilësisë së shërbimit që do të ofrohet në ambientet e reja të terminalit pritet të rrisë ndjeshëm numrin e pasagjerëve që do të kalojnë përmes portit të Durrësit. Drejtori i Autoritetit Portual, Eduard Ndreu, thekson se inagurimi i këtij investimi madhor është një ogur i mirë për portin për përmirësimin e parametrave të tij përsa i përket përpunimit të pasagjerëve dhe mjeteve. Në të njëjtën kohë, kur vetëm një javë më parë është mbyllur me sukses evenimenti kulturor “Open Port”, Ndreu ndalet në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti dhe detajet që duhen përmirësuar vitin e ardhshëm. Si anëtar i Këshillit Bashkiak dhe Komisionit të Ekonomisë, Ndreu ngre dhe njëherë shqetësimin e parashtruar nga këshilltarët e djathtë që akuzojnë bashkinë për mos vjeljen e taksave dhe detyrimeve nga biznesi dhe ushtrim presioni ndaj biznesmenëve me bindje të djathta. “Ka mungesë dëshire dhe vullneti, pasi kryetari e ka kthyer çdo gjë në funksion të tij”,- shprehet Ndreu për “Dyrrah”.
Përurimi i terminalit të pasagjerëve ishte programuar të bëhej gjatë ditëve të Open Port. Kur do të nisë nga puna terminali i ri dhe me përmirësimin e shërbimit dhe kushteve të udhëtimit a prisni që të rritet numri i pasagjerëve që do të kalojnë përmes portit të Durrësit?
Terminali është vepra më e madhe që do të inagurohet në datat 10 ose 11 korrik. Nuk është bërë ende inagurimi i tij, sepse punimet po kalojnë fazat e kolaudimit. Ashtu si sistemet e kamerave të policisë, doganës etj, por edhe kolaudimi i urës, të gjitha kanë afate të cilat duhet të respektohen rigorozisht. Natyrisht që kushtet komode të cilat ofron ky terminal, do të jenë një shkëndijë e mirë për të afruar sa më shumë pasagjerë në portin e Durrësit.
Pas mbylljes së aktivitetit tre ditor Open Port cili është konkluzioni përfundimtar për ecurinë e kësaj megafeste dhe cilat janë mangësitë që u vunë re në të?
Le të themi që konkluzionin e thanë vetë qytetarët me praninë e tyre në këtë festë. Fakti që pati një prani shumë të madhe të qytetarëve në ambientet e portit , jo vetëm për pjesën kulturore por edhe për vizitat që bënë në anijet dhe mjetet e tjera portuale, na bën të besojmë që kjo ka qënë një festë e suksesshme, e cila po kthehet në traditë, dhe po kërkohet nga qytetarët e Durrësit. Natyrisht që porti nuk është një institucion që organizon festa, madje mund të them se është tërësisht e kundërta e kësaj, por megjthatë e kemi thënë gjithmonë që Open Port është një eveniment shumë i mirë, ku qytetarët kanë mundësi të prekin me dorë dhe të shikojnë mënyrën sesi operohet një ditë në port. “Open Port” nuk është një festë që e shpiku qyteti i Durrësit, por është marrë nga vendet e tjera. Marrëdhënia Port-Qytet është një marrëdhënie për të cilën punohet shumë në portet e vendeve fqinje, gjithmonë për të afruar dhe krijuar mirëkuptim në të gjitha nivelet përsa i përket të dy palëve.
Portet në të gjitha vendet e botës kanë ndikuar në rritjen e standarteve të jetesës së të gjithë qytetarëve, pasi këtyre të fundit u krijohen shanse më të mëdha për punësim dhe zhvillimin e aktiviteteve private. Por dua të theksoj këtu se veç të mirave ekonomike, porti krijon edhe problematika si p.sh. zhurmat që krijohen nga aktivitetet e tij. Vetë prania e publikut në këtë festë na nxit ta zhvillojmë edhe vitet e ardhshme. Ndërkohë dua të theksoj se, në ato ditë kur mbahet aktiviteti, operacionet portuale nuk kufizohen. Uroj që kjo festë e cila zhvillohet në qytetin e Durrësit të mbledhë sa më shumë qytetarë dhe kureshtarë edhe nga qytete të tjera të vendit. Qëllimi ynë është që ta kthejmë në traditë dhe kjo festë të jetë e rëndësishme për të gjithë qytetarët. Mangësitë… Rrimë me laps në dorë kur bëjmë festën dhe kjo sepse për çdo vit kërkojmë ta përsosim atë në organizim. Kemi mbajtur shënim se çfarë duhet të bëjmë më mirë për t’i korrigjuar vitin që vjen. Këtë vit ishim organizuar shumë më mirë se vitin e kaluar. Vitin e ardhshëm do të bëjmë organizim edhe më të mirë.
Cilat ishin reagimet e qytetarëve gjatë atyre ditëve?
Gjatë gjithë ditëve të festës kanë ardhur me qindra mesazhe dhe falënderime nga qytetarët që vizituan portin. Durrësi është një qytet bregdetar dhe thellësisht turistik dhe ka nevojë për festa të tilla. Sidomos në stinën e verës sa më shumë festa të ketë aq më shumë gjallërohet jeta e qytetit. Porti këtë festë ja dhuron publikut në fundjavën e tretë të muajit qershor.
Në një kohë kur pishinat shtetërore nuk janë funksionale dhe Durrësi njihet për traditën e tij në fushën e notit, nuk do të ishte më mirë që aktivitetet të përqendroheshin më tepër në det sesa në tokë gjatë këtyre tre ditëve?
Për herë të parë këtë vit kemi organizuar një garë në akuariumin e portit. Këtë vit kanë marrë pjesë dy grupe, një grup vajzash nga Tirana që kanë bërë garë ditën e parë të festës dhe një grup veteranësh të notit kanë garuar ditën e tretë. Të dyja grupet janë shoqëruar me çmime për t’i dhënë vlerë më shumë këtij organizimi dhe vetë garës. Në të dyja rastet fituesve u është dhuruar nga një telefon celular, i teknologjisë më të fundit. Ne shumë shpejt do të organizojmë edhe një darkë për veteranët që morën pjesë në garat sportive. Kemi marrë falënderime të shumta që arritëm të organizonim gara noti, të cilat kanë qënë dhe mbeten traditë për qytetin e Durrësit.
Në media të ndryshme janë hedhur disa akuza për shumën e madhe të parave të harxhuara, për këngëtarët e ftuar dhe dhënien e eksluzivitetit vetëm një media vizive. Cili është reagimi juaj lidhur me këtë?
E gjithë festa ka kushtuar 6 milionë lekë. Pra në lidhje me akuzat për paratë media mjafton të interesohet në bashkinë e Durrësit se sa i kushtojnë festat e këtij lloji. Aktiviteti kulturor në këtë festë ka qënë shumë i madh. Ne kemi patur në tre netë një numër shumë të madh këngëtarësh, ku vetëm në natën e parë ishin 33 këngëtarë nga më të mirët që performojnë në Shqipëri. Ka patur aktivitet shumë të madh. Përsa i përket akuzës së eksluzivitetit të organizimit të këtij koncerti nuk është aspak e vërtetë, sepse ka patur një njoftim publik, në ëebsaitin zyrtar të portit në lidhje me garën. Çdo e dhënë ka qënë publike duke nisur që nga fondi, mjafton që këto media të jenë të vëmendshme për të ndjekur publikimet. Çdo gjë ka qënë konform rregullave.
Çdo të thotë një festë e tillë për qytetin, në një kohë kur aktivitetet kulturore në ambiente të hapura thuajse mungojnë krejtësisht prej disa muajsh?
Këtë vit në Durrës nuk u festua as Sezoni i Notit dhe në qytet mungojnë pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore. Njerëzit duan të festojnë dhe porti e ka marrë inisiativën për të argëtuar qytetarët durrsakë. Kanë qenë tre netë shumë të paharruara për të gjitha moshat, sepse argëtimi mungon dhe jo vetëm në një stinë të caktuar, por gjatë gjithë vitit.
Zoti Ndreu ju jeni anëtari i Këshillit Bashkiak dhe i Komisionit të Ekonomisë. Këtë vit është vënë re një ulje e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave që bashkia ka arritur të mbledhë nga biznesi i vogël. Pse ka ndodhur kjo?
Pranë bashkisë ekziston njësia e auditit. E kam shprehur që situata përsa i përket mbledhjes së të ardhurave nga bashkia e Durrësit është alarmante dhe kjo sepse bashkia ka humbur funksionin e saj. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Bashkia mbledh të ardhura në bazë të një sistemi të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Po në të njëjtën kohë është ky institucion që këto të ardhura duhet t’i shpërndajë në komunitet në formën e investimeve publike. Ne në asnjë rast të vetëm nuk e kemi lënë në heshtje këtë fakt duke e denoncuar në mbledhje, por edhe në media, sepse ky është problemi më serioz që ka sot bashkia e Durrësit. Bashkia nuk arrin të mbledhë të ardhurat dhe nuk mund të plotësojë ato investime që ka planifikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ka mungesë dëshire dhe vullneti, pasi kryetari e ka kthyer çdo gjë në funksion të tij. Inspektorët që bashkia ka duhet të jenë përgjegjës për këtë proçes. Nga informacionet që marrim nga terreni ka një diferencim të dukshëm dhe selektim në mbledhjen e taksave. Ushtrohet presion ndaj bizneseve të djathta dhe mbahen nën sqetull bizneset që kanë orientim ose simpati për të majtën. Kjo është e patolerueshme dhe do të kërkojmë llogari në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.
Parametrat e Terminalit të ri të Trageteve
1. Ndërtesa e terminalit me konstruksion metalik dhe xhami – 5.400 m2
2. Sheshe për automjetet – 63.500 m2
3. Hapësirë parkimi për automjetet – 2.100 m2
4. Lidhje direkte (foot bridge) me stacionin e trenit rreth 300 m e gjatë
5. Pika kontrolli hyrje / dalje për 2000 pasagjerë
6. Shërbimet e nevojshme si, bar, restorant, ambiente pritjeje, akses interneti, etj