DURRES, 21 prill 2013 – Teuta siguron të paktën përkohësisht (në pritje të përfundimit të ndeshjes Besa-Kukësi, që ka nisur të luhet në orën 17.00) vendin e dytë në kampionat.
Për pak durrsakët kanë qenë duke bërë një hap fals në shtëpinë e tyre, kur e mbyllën pjesën e parë të ndeshjes me Apoloninë në disavantazh 0-1. Fierakët shënuan një gol falë penalltisë të akorduar nga arbitri i ndeshjes. Topi u dërgua në rrjetë nga Andi Ribaj dhe fierakët ju drejtuan dhomave të zhveshjes optimistë se mund të dilnin me një rezultat pozitiv nga fusha e durrsakëve.
Por në pjesën e dytë djemtë e Maganit kanë shfaqur tjetër fizionomi në fushën e lojës. Goli i barazimit u shënua nga Mancaku, i cili ktheu në gol një penallti të akorduar nga arbitri.
Ndërsa minutat kalonin dhe ndeshja po i drejtohej fundit të saj, durrsakët po shihnin t’u zbehej objektivi i sezonit, vendi i dytë. Por për fat të mirë, kur kishte mbetur ende dy minuta para mbarimit të kohës së rregullt ka ardhur shpëtimi për durrsakët. Një aksion i bukur, me iniciator Tefik Osmanin, finalizohet nga Daniel Xhafaj.
Teuta siguroi tre pikët e nevojshme dhe tashmë renditet e dyta pas Skëndërbeut.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





