Teuta vijon me ndeshjet miqësore, këtë herë brenda familjes. Pas triangolares me Bylisin dhe Lushnjën, trajneri Diego Longo vendosi të provojë skuadrën e parë në një test tjetër me ekipin U-19 të Teutës. Miqësorja e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” përfundoi me fitoren 3- 0 të Teutës. Golat u shënuan të tre që në pjesën e parë, teksa në minutat 20 dhe 30 ishte sulmuesi Klejdi Daci që realizoi.

Ndërsa në minutën e 40-të vulosi fitoren 3- 0 sulmuesi i ardhur së fundmi në merkaton e verës, Dijar Nikqi. Trajneri i Teutës, Longo, e nisi me këtë formacion: Vata në portë, Muka dhe Qaqi në qendër të mbrojtjes, Kurti dhe Gjinollari nga krahët, e më pas në mesfushë Daja, Karabeci dhe Çejku, ndërsa në sulm, Gjumsi, Nikqi dhe Daci. Loja nisi me Teutën kërkuese, që gjen shpejt golin, me sulmuesin Daci që tregohet i shpejtë përballë portierit Koci. I njëjti autor, me një goditje në formë parabole, mposht për herë të dytë portierin e Teutës U-19.

Më pas ishte radha e Nikqit që të shënonte. Longo gjatë gjithë ndeshjes qëndroi në këmbë duke udhëzuar lojtarët. “Djemtë e detit” do të nisin kampionatin të shtunën, teksa presin Tiranën në stadiumin “Niko Dovana”. Kjo ndeshje do të zhvillohet në orën 19:00 dhe pritet me shumë interes në Durrës. Prej më shumë se dy muajsh skuadra po përgatitet me intensitet nën drejtimin e Longos dhe tashmë kurioziteti është i madh për të parë durrsakët në ndeshjen ndaj Tiranës.