Teuta me barazimin e marrë në shtëpi ndaj Flamurtarit bëri një hap pas në rrugën për të siguruar vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, por gjithsesi gara mbetet e hapur pasi Kukësi i vendit të tretë ka vetëm tri pikë më shumë dhe do të jetë mysafir në stadiumin “Niko Dovana” në fazën e katërt.

Përballja me vlonjatët e nxori të pakënaqur trajnerin Magani, gjë që ai e shprehu edhe pas ndeshjes, ku vlerësoi vetëm paraqitjen e Hysenit, ndërsa theksoi se egoizmi i futbollistëve të tij në disa raste u mohoi fitoren.

Pas analizës së bërë për sfidën ndaj Flamurtarit, fokusi i durrsakëve është zhvendosur te ndeshja e radhës me Vllazninë në fushën sportive “Reshit Rusi”. Teuta do të rikthehet në Shkodër për të dytën herë këtë sezon, ndërkohë që përballjen e parë ata e fituan, gjë që do synojnë ta bëjnë sërish për të vijuar garimin për vendin e tretë në tabelën e klasifikimit.

Për trajnerin Magani ka një lajm të mirë, pasi në dispozicion të tij do të jenë mbrojtësi Slavko Lukiç dhe mesfushori Ardit Hila të cilët e shlyen pezullimin për shkak kartonësh në sfidën e së shtunës me Flamurtarin. Që të dy këta lojtarë kanë qenë pjesë e rëndësishme e formacionit të durrsakëve në këtë sezon, e rikthimi i tyre qetëson trajnerin Magani që do të ketë një grup më të plotë lojtarësh e më shumë alternative për të.