Dy seanca stërvitore ka zhvilluar skuadra durrsake në ditën e djeshme. Trajneri Gugash Magani në seancën e parë e ka ngarkuar fizikisht ekipin, duke praktikuar ushtrime të ndryshme. Ndërsa në të dytën, skuadra më shumë është fokusuar te puna me topin.

Trajneri peqinas e ka ndarë ekipin në grupe dhe u ka kërkuar që të qarkullojnë sa më shumë topin, por edhe të ketë saktësi në pasime. Më pas u ka dhënë ushtrime për kontrollin e topit në ajër, si dhe pasimet e sakta pa e ndaluar sferën.

Me ekipin nuk është stërvitur mesfushori Bruno Dita, i cili nuk a ka kaluar dëmtimin e pësuar, që e ka mbajtur jashtë fushave për rreth dy javë. Madje, edhe në ndeshjet ku Dita është aktivizuar, ka ndier shqetësime dhe pritet që sot të bëjë rezonancën për të parë saktësisht shkallën e dëmtimit. Kujtojmë që mesfushori në muajin tetor u bashkua me ekipin pas atij dëmtimi të rëndë në sezonin e kaluar, ku qëndroi afro tetë muaj jashtë fushave. Këtë herë shpresohet që Dita të ketë diçka të lehtë dhe t’i bashkohet sa më shpejt grupit. Ndërkohë, pjesa tjetër e ekipit duket në formë. Në seancën e djeshme nuk munguan as notat e humorit, teksa lojtarët janë argëtuar me ushtrimet e praktikuara nga Magani.

Me ekipin po stërvitet intensivisht edhe sulmuesi afrikan, Eko Barine, i cili duket se po merr formën dhe është gati të debutojë. Lojtari i huazuar nga Skënderbeu vlerësohet shumë për talentin që ka.Trajneri Magani është shprehur se i riu po vjen në formë dhe do t’i shërbejë ekipit në javët e ardhshme. Sipas peqinasit, mungesa e stërvitjes bëri që Barine të mos kapte shpejt ritmin e grupit. Gjithsesi, sulmuesi po tregon se ka potencial dhe do të jetë gati pas ndoshta 2 javësh. Me afrikanin në dispozicion, sulmi i Teutës shton rivalitetin, duke pasur parasysh që në përbërje janë edhe emra si Andi Ribaj, Artur Magani dhe Faisal Bangal që luajnë rregullisht.