Pasion, spektakël dhe emocione: Teuta U-17 përmbys Tiranën U-17 dhe fiton Kupën e Shqipërisë!
Një finale e paharrueshme në “Shtëpinë e Futbollit”, ku bardheblutë ishin dy herë në avantazh të dyfishtë, por Teuta ia doli të reagonte përballë ekipit të Tiranës.
Skuadra e drejtuar nga Markelian Xhai trajner i parë dhe Julian Fezga zv.trajner fitoi me rezultatin 4-3.
Në këtë ndeshje të rinjtë e Teutës treguan një shpirt të madh gare dhe konkretizuan në formën më të mirë të mundshme të gjithë angazhimin e tyre përgjatë këtij sezoni.
Një urim special për djemtë e trajnerit, në këtë moment special të tyre vjen dhe nga drejtori i Akademisë së Futbollit “Teuta”, Adrian Dedja:
“Brezi i ri është shpresa dhe e ardhmja e futbollit të qytetit tonë. Mos luani vetëm për fitore, por për ëndrrat që mbani në zemër. Çdo stërvitje, çdo sakrificë dhe çdo rrëzim ju bën më të fortë. Respektoni lojën, trajnerin, shokët dhe mbi të gjitha veten tuaj. Talentin e ka shumëkush, por ata që arrijnë larg janë ata që nuk dorëzohen kurrë. Besoni te vetja dhe luftoni për fanellën me krenari. E ardhmja është në këmbët tuaja”, shprehet Dedja.





