TIRANE – Shqipëria dhe bukuritë e saj natyrore me plazhet e saj vihen në qendër të vëmendjes nga mediat e huaja me prestigjioze të cilat e sugjerojnë atë si destinacion turistik të preferuar për vitin 2013.

Prestigjiozja "The Guardian" në rubrikën Travel, rëndit 20 plazhet më të volitshme, sipas saj, për të kaluar pushimet në vitin 2013. Shkrimi nis që në hyrje të tij, duke u ilustruar me një fotografi nga plazhi i Ksamilit, të cilin e cilëson si je nga ndalesat e pushimit të ri detar 7 netësh në Shqipëri, e cila siç thuhet në shkrim, është Kroacia e ardhshme. 

Më pas shkrimi fokusohet edhe në plazhin e Adriatikut. 

"Jeni mërzitur me Hvar dhe Brindisi? Provoni Shqipërinë. Me një bregdet prej 380 miljesh të gjatë, fshatra të bukur buze detit dhe rrënojat romake, plazhet e Adriatikut po njihen si Kroacia e ardhshme midis kërkuesve aventurierë të plazheve. Një pushim prej shtatë netësh është një prezantim i mirë, duke u strehuar në qytete historike, rrënonjat bizantine dhe otomane dhe plazhe të shumta me rërë të bardhë, laguna dhe gjire"- thuhet në shkrim. 

Pas Shqipërisë, ndër plazhet më të volitshme për të kaluar pushimet në 2013-ën, shkrimi rëndit, ishullin Santa Maria në Azore, ishujt Canarie, Marina di Venezia në Itali, Sicilinë, Puljan që ndodhet në Jug të Italisë, plazhin e Amalfit në Napoli, më pas, Silver Island në Greqi, Korfuzin, Kanadanë, Kenyan, Antaljan në Turqi, Istria në Kroaci, Maltën, Spanjën, Portugalinë dhe Sardenjën.