100 vjet më parë më shumë se 1.500 njerëz do të humbnin jetën në atë që u konsiderua si tragjedia më e rëndë detare. Një anije luksi, një kroçerë gjigande për atë kohë fatkeqësisht u mbyt në udhëtimin e parë të saj.

“Nuk ka asnjë rrezik që Titaniku të mbytet. Kjo anije nuk mund të mbytet”,- tha në atë kohë Philip Franklin, zëvendës presidenti i Ëhite Star Line, kompania që kishte në pronësi të saj anijen e luksit. Këto fjali euforike kanë mbetur në histori, jo për vërtetësinë e tyre, por për faktin tragjik se treguan se sa të pabaza ishin.

Në 14 prill mbushen plot 100 vjet nga mbytja e Titanikut, mbytje që në një farë mënyre pati dhe anën e saj pozitive. Ajo u tregoi projektuesve të anijeve sesa e brishtë mund të jetë edhe një anije e konsideruar e pambytshme dhe në të njëjtën kohë i detyroi ata të revoluciononin teknologjitë që garantojnë sigurinë e një anijeje.    

Historia e Titanikut

Titaniku, anija më luksoze e asaj kohe, është bërë e pavdekshme jo vetëm në sajë të mbytjes tragjike, por dhe për faktin se historia e saj ka qenë në qendër të shumë dokumentarëve, serialeve televizive apo filmave hollivudianë. Anija e nisi udhëtimin e saj të parë në 10 prill të 1912 nga porti i Southamptonit në Angli dhe ishte drejtuar për në Nju Jork.

Në bordin e saj ndodheshin disa nga njerëzit më të pasur të asaj kohe si dhe shumë emigrantë britanikë që i drejtoheshin Amerikës për një jetë më të mirë. Anija që mbante në bordin e saj 2.224 njerëz ishte e pajisur me një palestër, pishinë, bibliotekë si dhe restorant klasi, me pak fjalë ishte një anije ëndrrash.

Ajo ishte ndërtuar në kantierin “Harland and Wolff”, në Belfast të Irlandës. Por udhëtimi i saj tragjik do të ndërpritej vetëm pak ditë pas nisjes, pikërisht në 14 prill, kur 375 milje larg brigjeve amerikane do të përplasej me një ajsberg. Përplasja fatale shkatoi një të çarë të thellë në trupin e anijes, që nisi të mbushej me ujë e të fundosej. Ajo kishte në bordin e saj varka shpëtimi për vetëm 1.178 njerëz, shumë më pak nga numri i përgjithshëm i personave që ndodheshin në të.

Një pjesë e ekuipazhit të anijes dhe pasagjerëve (rreth 710 persona) mundën të shpëtonin falë këtyre barkave, por pjesa tjetër u mbyt së bashku me anijen gjigande. Në orën 02.20 të mëngjesit të datës 15 prill “Titaniku” u zhyt përgjithmonë në ujërat e oqeanit Atlantik.   

Mitet për Titanikun

Mbytja e anijes luksoze shokoi gjithë botën. Të mbijetuarit nga kjo tragjedi detare treguan në ato vite shumë nga momentet e fundit në bordin e saj, por dhe tani kur kanë kaluar 100 vjet sërish Titaniku dhe historitë rreth tij vazhdojnë të ngjallin kureshtje. Principi detar që thotë se kapiteni mbytet së bashku me anijen e tij i referohet pikë së pari shembullit të kapitenit të Titanikut, Edward Smith, i cili qëndroi deri në fund në bord.

Një histori tjetër e dhimbshme e 100 viteve të shkuara është ajo e orkestrës së anijes, që vazhdoi të interpretonte deri kur anija nisi të zhytej në ujërat e ngrira të oqeanit. Tetë anëtarët e saj vazhduan t’i binin veglave pavarësisht kaosit të krijuar në anije. Sipas shumë dëshmive mendohet se “Nearer, My God, to Thee” ishte muzika e fundit e interpretuar prej tyre.

Ndërkohë “Titaniku” rrëzoi edhe pretendimin se ka anije që nuk mund të mbyten. Pavarësisht deklaratave të pronarëve të saj dhe kantierit ku u ndërtua, realiteti tregoi se anija katër direkëshe nuk mundi të përballonte përplasjen me ajsbergun.

“Costa Concordia”, Titaniku i ditëve të sotme

100 vjet nga mbytja e Titanikut historia u përsërit sërish, këtë herë në brigjet italiane. Një kroçerë luksoze, “Costa Concordia”, tregoi se pavarësisht masave të marra për sigurinë e anijeve mjafton një incident i vogël për të shkaktuar mbytjen e tyre.

Mbrëmjen e 13 janarit të këtij viti anija luksoze u përplas me shkëmbinjtë në detin Tirren. Megjithëse deti ishte i qetë dhe kushtet atmosferike ishin të mira anija u mbyt duke shkaktuar vdekjen e të paktën 30 pasagjerëve të saj. Ajo që të habit më shumë në këtë incident është fakti se pavarësisht se ligji detar ndërkombëtar kërkon që të gjithë pasagjerët të largohen nga anija brenda 30 minutave pas urdhërit për braktisjen e saj, operacionet e shpëtimit zgjatën rreth gjashtë orë.

Gjithashtu, në një kohë kur anija kishte nisur të fundosej, urdhri për ta braktisur atë u dha rreth një orë pas përplasjes së fortë. Diskutime të shumta ngjalli braktisja e kroçerës nga kapiteni i saj, ndërkohë që në bord kishte ende pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Veprimi i kapitenit, Francesco Schettino ishte totalisht i kundërt me atë të homologut të tij të Titanikut.

Pavarësisht faktit se kush ishte fajtori për mbytjen e “Costa Concordia” përsëritja e historisë, ndonëse jo në përmasa aq tragjike sa tek “Titaniku”, tregoi se projektuesit e anijeve kanë ende punë për të bërë për të garantuar siguri më të madhe për pasagjerët e anijeve të luksit.  

 

“Horizonti i rremë” mbyti Titanikun

Historiani Tim Maltin pretendon se ka zbuluar arsyen e përplasjes së Titanikut. Sipas tij ekuipazhi i anijes nuk arriti ta dallonte ajsbergun për shkak të një iluzioni optik të quajtur “Horizonti i rremë”. Sipas Martin ky iluzion krijohet kur një front i ftohtë atmosferik përballet me masa ajri të ngrohta duke krijuar përthyrje të dritës në vendin ku ndodh takimi. Ky fenomen është i ngjashëm me mirazhet e shkretëtirës, ku pamja që ti shikon është shumë ndryshe nga realiteti edhe kur bëhet fjalë për një distancë të afërt. Sipas Martin, kushtet ishin perfekte natën e 14 prillit të 1912 për krijimin e këtij iluzioni dhe për këtë shkak ekuipazhi e vuri re vetëm në çastet e fundit bllokun e akullit. “Hartat me trysninë atmosferike të asaj dite, nuk lënë vend për ekuivok. Titaniku ishte në qendër të një zone me presion 1.035 milibar, veçanërisht të lartë dhe që ndryshonte drastikisht në një zonë tepër të vogël”,- thotë Martin. Po me këtë fenomen ai shpjegon edhe faktin tjetër sesi anija “The Californian” që ndodhej pranë Titanikut nuk i pa fishekzjarret e lëshuar nga ky i fundit.  

Filma e dokumentarë për Titanikun

Që nga mbytja e anijes luksoze shumë filma e dokumentarë janë xhiruar për të. Disa prej tyre kanë përshkruar orët e fundit të pasagjerëve dhe ekuipazhit para mbytjes, ndërsa të tjerët janë munduar të zbërthejnë shkaqet e mbytjes së anijes së konsideruar e pambytshme. Me rastin e 100 vjetorit të asaj date tragjike, filmi kult i regjizorit James Cameron do të shihet tani në versionin e tij 3D. Filmi që rrëmbeu 11 çmime Oskar dhe mbajti për shumë vite me rradhë vendin e parë si filmi me nivelin rekord të arkëtimeve vjen tashmë 15 vjet më pas në versionin e tij shumëdimensional. Ndërkohë dy dokumentarë, njëri prej të cilëve i National Geographic do të tentojnë të hedhin dritë mbi atë tragjedi detare. Do të jetë sërish regjizori James Cameron që në dokumentarin “Titanic: The Final Word With James Cameron” së bashku me një grup ekspertësh (inxhinierë, arkitektë detarë dhe historianë) kanë kryer mëse 30 zhytje në vendin ku është mbytur “Titaniku” për të zbuluar misterin që ka rrethuar këtë anije fatkeqe. Ndërkohë dokumentari tjetër “Save the Titanic” është përqendruar në tregimin e Bob Ballard, eksploruesit që në vitin 1985 zbuloi reliket e anijes së famshme. Përpara kamerave ai do të rindërtojë edhe njëherë atë udhëtim të shkurtër, por të paharruar të Titanikut nga kantieri i Irlandës së Veriut e deri në ditët tragjike të 14-15 prillit. Në këtë mënyrë ai mban një premtim të vetin për të ruajtur reliket e anijes që po kërcënohen nga dëmtimet që vijnë nga forcat e natyrës, turistët dhe eksploruesit e paskrupullt.