Një tjetër aksident fatal është shënuar këtë të diel në Durrës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e daljes nga rruga të motomjetit që drejtonte.
Nga informacionet paraprake mësohet se viktima është shtetasi me iniciale A.K., 52 vjeç i cili ishte duke drejtuar një motomjet me katër goma. Dyshohet se ai ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke dalë nga rruga dhe duke pësuar dëmtime të rënda.
Si pasojë e aksidentit, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje. Ndërkohë, bashkëshortja e tij që udhëtonte me të në motomjet ka mundur të shpëtojë dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Informacioni paraprak i policisë Durrës:
Rreth orës 16:45, në vendin e quajtur “Kepi i Rodonit”, në një terren me shkurre, shtetasi A. K., rreth 52 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar një motomjet (me 4 goma), dyshohet se ka humbur kontrollin, si pasojë e terrenit, dhe është rrëzuar.
Si pasojë, 52-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Në motomjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij, shtetasja E. K., 44 vjeçe, e cila është lënduar lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.





