PSG-ja vazhdon që të fitojë, të paktën në Ligën 1, por për Xhanluixhi Donarumën vazhdon momenti delikat.

Edhe kundër Nantës, portieri italian që zbarkoi poshtë kullës “Eiffel”, pas aventurës me Milanin, bëri një tjetër gafë, e cila tashmë ka shtuar irritimin në radhët e tifozëve kryeqytetas, të cilët nuk e kanë kapërdirë ende atë të kryer ndaj Karim Benzemasë dhe Realit të Madridit në sezonin e shkuar, e cila i kushtoi shumë shtrenjtë në Champions, apo edhe atë në ndeshjen e vajtjes me Bajernin e Mynihut, në 1/8-at e Champions-it, ku Koman u duk sikur i shënoi shumë lehtë.

Madje, pranë klubit të PSG-së kanë nisur që të ketë zëra se trajneri Galtier mund ta vërë në diskutim edhe prezencën e italianit si titullar për vazhdimësinë e sezonit.

Fakti që gabimet po bëhen mjaft të shpeshta, te një skuadër si PSG-ja, e cila për më shumë i mbulon me miliona futbollistët e saj, është e vështirë për t’u kapërdirë, prandaj ditën e nesërme, në konferencën për shtyp të trajnerit Galtier, do të mësohet më konkretisht nëse Donaruma do të konfirmohet mes shtyllave ndaj Bajernit ose jo.