E kalojnë “klasën” 12 anije tregtare dhe tre tragete që lidhin Sarandën me Korfuzin. 20 anije kanë përfunduar për skrap apo janë shitur në vendet e Botës së tretë. Vetëm 15 është numri i anijeve dhe trageteve që mbajnë flamurin shqiptar në vitin 2012.  Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Gazmir Tahiri, tregon rrugën e gjatë për të dalë nga lista e zezë e Memorandumit të Parisit

Anijet që mbajnë flamurin shqiptar janë ende pak, edhe ato në gjendje jo të mirë. Burime nga Regjistri detar bëjnë të ditur se me flamurin kuqezi lundrojnë vetëm 15 anije, nga të cilat vetëm njëra prej tyre është e re dhe pikërisht anija tregtare 2033-tonëshe “Kristi 1” e blerë nga një biznesmen shqiptar në vitin 2011. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare, Gazmir Tahiri, thotë se është i ngutshëm përmirësimi i imazhit të flamurit tonë për të dalë nga lista e zezë ku qëndron prej vitesh flota shqiptare dhe tashmë rinovimi ka nisur. Anijet tregtare me flamur shqiptar, janë rreth 40-vjeçare, duke përbërë edhe flotën më të vjetër në rajon, pa garanci lundrimi, kushte lundrimi dhe ekuipazh të pasiguruar. Standardet e Bashkimit Europian kërkojnë që anijet të cilat janë të përfshira në listën e zezë të transportit detar, ku bën pjesë edhe Flota e anijeve tregtare të Shqipërisë, të mos kryejnë më aktivitet tregtar me vendet e BE. Por çfarë ka ndodhur realisht me anijet e flotës tonë, e cila prej vitesh ka qenë e përfshirë në listën e zezë të lundrimeve nga Organizata Ndërkombëtare Detare “IMO”? Në një intervistë për të përjavshmen “Dyrrah” drejtori Tahiri tregon se flota tregtare pothuajse është përgjysmuar gjatë 2 viteve të fundit në numër dhe kjo ka ndikuar pozitivisht për rritjen e shkallëve të standardeve të kërkuara.

Zoti Tahiri, tashmë në Shqipëri janë vetëm 12 anije tregtare dhe 3 tragete që mbajnë flamurin shqiptar. Çfarë ka ndodhur?

Pas rritjes së kërkesave tona drejtuar të gjithë pronarëve të anijeve për të nxjerrë flotën nga lista e zezë ku qëndronte për shkak të problemeve të mëdha, duket se ka filluar të fryjë një erë pozitive. Skualifikimi i një numri të madh anijesh, përkatësisht 28 prej tyre, ka bërë që flota jonë të ngjisë disa shkallë dhe të renditet në zonën “gri” nga Organizata Ndërkombëtare e Lundrimit. Deri në vitin 2011 bënim pjesë në zonën me rrezik të lartë ndërsa klasifikimi i fundit na ka çuar në zonën “gri”. Fakt është se anijet me flamur shqiptar janë shumë të vjetra, të pakontrolluara, përsa u përket kushteve të lundrimit, dhe kësisoj Shqipëria u përfshi në listën e zezë të lundrimit, 20 vjet më parë.

Ku kanë përfunduar anijet e flotës shqiptare?

6 anije janë shitur në vendet e botës së tretë në bazë të informacioneve që kemi, ndërsa 14 anije kanë përfunduar duke u shitur për skrap. Ishin anije mbi 40-vjeçare dhe të palejueshme për transportin e mallrave. Por situata ishte edhe më e komplikuar, sepse tregtia e biznesmenëve shqiptarë bëhej me vendet e rajonit, kryesisht Italinë dhe Greqinë, të dyja shtete që bëjnë pjesë në Europë, me kërkesa shumë të larta përsa u përket standardeve të lundrimit. Nga sa bëhet me dije tarifat e regjistrimit të anijeve në Shqipëri kanë një avantazh shumë të madh, sepse në raport me shtet fqinjë, Italinë, Greqinë, Malin e Zi apo Kroacinë, tarifat janë disa herë më të ulëta.

A ndikojnë tarifat e ulëta tek kërkesa për të regjistruar anijet me flamur shqiptar?

Në fakt tarifat janë 90% më të ulëta në Shqipëri sesa në vendet e rajonit. Por pikërisht përfshirja e flotës në listën e zezë ka bërë që biznesmenët shqiptarë t’i regjistrojnë në Panama apo gjetkë anijet e tyre. Megjithatë, edhe me këtë, kërkesa e bizneseve është e lartë. Së fundi, dy armatorë kanë blerë anije përkatësit 17 dhe 35 mijë tonësh, por që regjistrimin do ta bëjnë në Panama.

Prej 2 vjetësh kanë nisur debatet për ta nxjerrë flotën tonë nga lista e zezë. Kur do të përfundojë ky proces?

Është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë. Vendet e tjera të rajonit janë shumë kërkues, kanë standarde dhe deri në plotësimin e standardeve duhen edhe disa vjet të tjerë. Synimi i kësaj drejtorie mbetet përmirësimi i imazhit të flamurit tonë detar duke e nxjerrë atë nga lista e zezë e Memorandumit të Parisit “MOU” si dhe mundësimi i njohjes ndërkombëtare të dokumenteve detare Shqiptare.

15 anije përbëjnë gjithë flotën detare tregtare të Shqipërisë. Nga këto, tre janë tragete me kapital shqiptar, që mbajnë flamurin shqiptar dhe që operojnë në linjën detare Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas

20 anije kanë përfunduar për skrap ose janë shitur në vende të botës së tretë. Ato kanë qenë shumë të vjetra, jashtë standardeve të lundrimit dhe si të tilla nuk mund të mbanin më flamurin shqiptar

REGJISTRI DETAR

Si po rinovohet flota shqiptare
Në drejtorinë e Regjistrit detar shqiptar e cila ndodhet në portin e Durrësit bëjnë me dije se mesatarisht anijet e flotës janë jo më pak se 30-vjeçare, por nuk është ky problemi pse janë të përfshira në listën e zezë të organizatave ndërkombëtare të lundrimit. Artur Ajazi drejtor i Regjistrit Detar pohon se “rritja e kërkesave të sigurisë së lundrimit por edhe standardeve për anijet tregtare që regjistrohen në Durrës, me flamurin shqiptar është drejt përmirësimit, kjo për vetë faktin se armatorët por edhe biznesmenët e ndryshëm, gjatë 2 viteve të fundit i kanë shkrirë për skrap, apo shitur anijet e tyre, duke dalë tashmë nga qarkullimi. Mbi anijet e regjistruara në Shqipëri tashmë kërkesa për plotësimin e standardeve është shumë e lartë, por njëkohësisht edhe kontrollet ndaj tyre. Për çdo 2 vjet anijet kanë si kontroll parësor kolaudimin e tyre. Kantieri teknik i këtyre anijeve që përfaqësojnë Shqipërinë është rigoroz, dhe kantieri teknik bëhet në portet e Malit të Zi, dhe Greqisë, nga ku pajisen me certifikatat e lundrimit. Nuk janë anije më të vjetra nga anijet e flotës greke apo turke, por 20 vjetët e fundit anijet tona ishin bllokuar disa herë në portet e vendeve perëndimore për shkak se pronarët e tyre abuzonin jo vetëm me kontrollin teknik por edhe dokumentacionin, çka e çoi flotën tonë në listën e zezë të “IMO”-s. Kërkesat janë rritur sidomos në drejtim të sigurisë së njerëzve dhe të mjedisit. Sipas specialistit Admir Kovaci, ky është numri ideal për të përballuar kërkesat që ka aktualisht tregu i transportit ujor në vend. “kërkesat nuk janë më të larta se për 12 anije tregtare të tonazhit të mesëm, madje pjesa më e madhe e këtyre anijeve punojnë në transporte jashtë vendit, për të gjetur punë, sepse ka mjaft vështirësi aktualisht në një kohë që konkurrenca është shumë e madhe. Anijet shqiptare janë të tonazhit të papërfillshëm në raport me vendet e tjera dhe tashmë janë mbyllur edhe shumë burime të cilat do të thoshin më shumë punë për tregtinë me anije. Luftërat në Ballkan kanë qenë si një minierë ari për transportin, kjo për faktin se transportoheshin ndihma humanitare, por edhe mallrat të ndryshme.

Anijet e flotës shqiptare

Emri                           Tonazhi

“NEREIDA”              6917
“KNEO”                     3473
FROSINA”                 2757
EDRO IV                   2133
KORAVI                    12092
KRISTI 1                    2033
KORAVI                    1598
MILTON                    1597
LADOGA                   41511
EDARTE                    1473
FROJDI                      2 1289
FROJDI                      1 791
KRISTI                       142
SANTA III                 141
KALIOPI                   129

Tre të fundit janë tragete e blerë nga biznesmenë shqiptarë me kapital 100% shqiptar të cilët operojnë në linjën detare Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas.

FLOTA TREGTARE

Konkurrenca e lartë, në rrezik falimentimi
“Stuhia” ekonomike që është shkaktuar prej krizës financiare globale në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë dallgën e saj edhe në sektorin e transportit detar. Prej kësaj stuhie të vërtetë ekonomike ku janë prekur direkt porositë e kompanive për mallra dhe pajisje importi, flota tregtare shqiptare e është në rrezik të vërtetë falimentimi. Të gjitha anijet e flotës tonë tregtare kanë mbetur pa punë dhe janë ankoruar në Radat e jashtme të porteve detare të vendit, një pjesë e të cilave janë vënë dhe në shitje nga pronarët e tyre. Kjo situatë është krijuar edhe në portin më të madh të vendit tonë, në Portin e Durrësit, ku një pjesë e madhe e anijeve tregtare prej muajsh qëndrojnë të ankoruara në Radën e jashtme të portit, në pritje për tu shitur por pa mundur akoma që të ndryshojnë pronarë. Anije të tjera më të vogla në kapacitet kanë krijuar probleme me ankorimin e tyre nëpër kalatat e portit duke rrezikuar në të njëjtën kohë edhe amortizimin. Rënia e transportit detar në botë, është reflektuar edhe në flotën tregtare të Shqipërisë, ku si pasojë e mungesës së kontratave nga sipërmarrësit e import-eksportit, asnjë prej mjeteve lundruese nuk po punon. Prej muajsh, anijet e transportit po përballen me mungesën e porosive, e ndikuar kjo nga rënia e kërkesës botërore.