Nga Klodian Tomorri

Koha për të ngrirë taksën e qarkullimit

John Keneth Galbraith dikur tha se roli i vetëm i parashikimeve ekonomike është ta bëjnë astrologjinë të duket shkencë e respektueshme. Ndoshta nesër kur të hapen bursat, çmimi i naftës mund të ulet në 70 dollarë. Por e gjithë bota është e sigurtë për të kundërtën. Çmimi i naftës do të vazhdojë të rritet edhe më shumë nga sa është tani.

Ajo që ka ndodhur dy javët e fundit është vetëm aspekti psikologjik i luftës mbi çmimin e naftës. Eksportet ruse të naftës nuk janë prekur nga sanksionet dhe vazhdojnë njësoj si më parë. Pra sot bota nuk ka dizbalancë më të madhe të kërkesë-ofertës për naftë se sa kishte para datës 24 shkurt kur Rusia sulmoi Ukrainën. Por tregjet janë duke faktorizuar rrezikun se herët a vonë kanali rus do të mbyllet. Dhe kanë të drejtë të mendojnë ashtu.

Në paketën e paprecedentë të sanksioneve që vendosi mbi Rusinë, Perëndimi i përjashtoi eksportet e naftës dhe gazit për shkak të pasojave që do të kishte në tregjet globale. Kjo ka krijuar një situatë gati absurde, ku ndonëse nën sanksione, Moska ka një kanal që i siguron 1 miliardë dollarë të ardhura në ditë.

Presionet për ta korrigjuar këtë absurditet po shtohen. SHBA-të dhe Britania kanë filluar sakaq të kërkojnë bllokimin e eksporteve të naftës dhe gazit rus. Me gjasa së shpejti do të dorëzohen edhe Gjermania me Italinë. Siç Winston Churchill e pati thënë dikur; “në raste përplasjesh qeveritë duhet të zgjedhin mes luftës dhe turpit. Por ato që zgjedhin turpin, pak më vonë marrin edhe luftën.”
Bllokimi i i naftës ruse do t’i bëjë gjërat edhe shumë më të vështira nga sa janë aktualisht. Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë me 4.6 milionë fuçi në ditë. Pjesa tjetër e prodhuesve edhe me kapacitetin maksimal mund të kompesojnë vetëm 3 milionë fuçi shtesë në ditë. Pjesa tjetër do të akomodohet nga rritja e çmimit. Por çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?

Ngjarjet e një dite më parë, kur çmimi i naftës u rrit me 40 lekë brenda një minute, tregojnë se tashmë nafta në tregun vendas nuk ka më një tavan, as psikologjik. Ndërsa deri një muaj më parë çmimi 200 lekë për litër dukej tabu, tashmë çmimi 300 lekë për litër është shumë i mundshëm. Pyetja shtrohet, a mundet ekonomia shqiptare ta absorbojë një goditje të tillë?

Momentalisht aktori i vetëm që fiton nga rritja e çmimit të naftës është qeveria. Vetëm prej tatimit mbi vlerën e shtuar, sot qeveria mbledh 16 lekë më shumë taksë për çdo litër naftë që shitet në treg krahasuar me disa muaj më parë. Por ky është një përfitim që qeveria e merr në kurrizin e gjithë të tjerëve dhe ç’është më e rëndësishme në kurriz të ekonomisë. Qeveria mund të vazhdojë të fërojë duart dhe të kënaqet me të ardhurat që mbledh më shumë nga rritja e çmimit të naftës. Por për çdo lek që ajo mbledh shtesë, dëmi që i bëhet ekonomisë është disafish më i madh.

Me inflacionin sakaq në kufijtë e sipërm të objektivit ligjor, rritja e çmimit të naftës në këto përmasa është “coup de grâce.” Përtej efekteve të menjëhershme në rëndimin e buxheteve familjare, spiralja inflacioniste do të godasë konsumin, do të frenojë rritjen ekonomike si dhe do të rrisë varfërinë. Por rreziku më i madh i saj është ai i rritjes së shpejtë i interesave të borxhit. Në fund do të humbasin të gjithë; qytetarët, biznesi dhe vet buxheti.

Ndaj opsioni më i mirë që qeveria ka në dorë për të zbutur pasojat e asaj që po vjen është të kthejë mbrapsht ato të ardhura që mbledh më shumë nga rritja e çmimit të naftës. Dhe një zgjidhje do të ishte ngrirja përkohësisht e taksës së qarkullimit. Të paktën derisa dallga të kalojë dhe tregjet të stabilizohen.