Nëse dikush iu pyet cfarë kujtoni nga mënyra se si festohej para viteve ‘90 është thuajse e pamundur të mos bëhesh nostalgjik për aromën e bredhit natyral, të mollëve e portokajve, apo për petët që hapeshin deri në mesnatë. Atmosfera e bukur e festës ndihej që ditën e parë të muajit dhjetor, kohë kur fillonin edhe përgatitjet. Zbukuroheshin dritaret dhe pema me pambuk e shirita të bërë me fletët e punë-dorës të ngjitura si zinxhir me brumë ose vinovil. Gjeli i detit blihej më herët për ta ushqyer mirë që të ishte sa më i shëndoshë e i dhjamur. Tryeza e darkës së 31 dhjetorit duhet të kishte gjithcka me bollëk. Nënat e gjyshet me shumë dashuri e kalonin ditën në kuzhinë duke gatuar gjithcka të mirë që do të vendosej në tavolinën festive. Antipasta ishte si pjatë e parë dhe kishte qofte, vezë të ziera, salcë kosi, ullinj, turshi, sallam të prerë në feta të holla, djathë. Sallatrat e ndryshme të vendosura në tryezë, sallata me panxharë, sallata ruse, sallata me ullinj e portokalle. Pastaj vinte pjata kryesore, me mishin e gjelit të detit të pjekur me patate të skuqura. Ndërmjet tyre ishin shishet e verës, birrës e rakia…Në fund ëmbëlsira, që zakonisht ishte ose bakllava, ose kadaif . Nuk mungonin frutat që porositeshin apo merreshin me racion: portokallet e Sarandës apo mollët që vinin nga Korça. Zakonisht Viti e Ri festohej tek prindërit ku motra e vëllezër takoheshin. Shtëpia mbushej plot me nipër e mbesa dhe mbrëmja kalonte plot hare, humor, këngë e vallëzime.

Sot

Edhe sot festa e Vitit të Ri mbetet sinonim i tradicionales. Është një moment për t’u mbledhur së bashku për të kaluar një kohë të bukur. Por detajet se si festohet kanë ndryshuar. Ka më shumë shkëlqim llampash shumëngjyrëshe në qytet, por edhe në shtëpitë tona. Bredhi rrallë është natyral… Gjeli i detit blihet ditët e fundit i pastruar dhe shpesh gjysmë i përgatitur. Tryeza jo domosdoshmërisht duhet të ketë ushqime me tepri, por duhet të ketë një mbulesë festive me dekorime e servise kuzhine të denja.

Amvisat gatuajnë ato çka do të konsumohen në darkën e festës, gjithmonë nëse do të festohet në shtëpi. Tendenca e viteve të fundit është ta presësh Vitin e Ri me miq apo familjarë në restorant dhe prenotimi duhet bërë ditë më parë. Por në shtëpi apo jashtë saj nuk mungon gjeli i detit. Menuja ka larmi. Përzgjedhja mund të jetë me bazë mishi ose peshku. Antipastat e detit, fileto, rizoto ose mishrat e kafshëve të egra, siç është derri i egër, kaprolli, dhia…etj.  Pije të ndryshme në varësi të ushqimit që konsumon, shqiptare ose te huaja. Ëmbëlsira e fruta ekzotike të shumëllojshme që nuk janë të stinës. Pas darkës me familjen në orët e para të Vitit te Ri kryesisht të rinjtë zhvendosen në pub-e apo disko me DJ apo muzikë live ku festojnë.

Ushqimi për festa

Me gjithë larminë e ushqimeve të shijshme që përgatitien për festa është shumë e vështirë t’i rezistosh tundimit për të provuar gjithcka. Kryesisht jane gatime tradicionale me shumë yndyrë e kalori, por më tunduesja në gjithë këtë “mëkat gastronomic” është ëmbëlsira, e cila nuk i mungon asnjë tryeze, por pa harruar këtu edhe simbolin  e këtyre festave: gjelin e detit. I gjithë ky tundim që serviret përmes shijes, nënkupton jo vetëm rëndim të menusë ushqimore gjatë këtyre ditëve, por edhe prishje të linjave, për të cilat mund të jeni munduar duke u përmbajtur në mënyrë të vazhdueshme. Studimet tregojnë se femrat, ato që edhe e vuajnë më së shumti formën fizike, shtojnë mesatarisht 4 kilogramë gjatë ditëve pushim të festave dimërore. Dhe në këtë dilemë të madhe mes pamjes trupore dhe gastronomisë, të gjithë tundohen drejt ushqimeve. Por nëse dini të ekuilibroni kaloritë në kuzhinën tuaj, mund të mos e kaloni kaq dramatikisht këtë periudhë të bukur festive.

Kështu, ndonëse ushqimet që përgatisni mund të përmbajnë sasi të mëdha kalorish, kjo nuk do të thotë që ju të mos hani asnjerën prej tyre. Mjafton që të përzgjidhni ato që do të konsumoni. Së pari mund të filloni të pakësoni kaloritë duke hedhur tutje lëkurën e gjelit të pjekur para se të filloni hani. Eleminoni mjaltin, gjalpin dhe ushqimet e skuqura. Nëse arrini t’i shmangni këto përbërës nga tryeza juaj, ja keni dalë t’i kurseni vetes ndonjë kilogram më tepër. Dhe nëse nuk doni të mjaftohen me kaq, mund të vazhdoni të kujdeseni edhe më tej për linjat tuaja, gjithmonë përmes menusë që do të ndërtoni. Disa produkte janë më të lehta dhe do t’u ndihmojnë të keni ende gjndje humori më të mirë. Zgjedhje e përkryer do të qe peshku ose ushqimet me bazën e tij. E ndërsa mendoni për ushqimin, është mirë që të përzgjidhni pijet me të cilat do ta shoqëroni atë. Specialistët e ushqimit këshillojnë përdorimin e verës dhe shmangien e pijeve të gazuara. Për të shmangur ndjesinë e mbingopjes por edhe për të ruajtur peshën e dëshiruar, është mirë që ushqimet (të cilat janë të shumëllojshme e të larmishme me këto ditë) t’i hani në sasi të vogla. Provojini të gjitha, por nga pak.

Dhe pasi të keni ngrënë mjaftueshëm, mos qëndroni më përpara tryezës. Ose të paktën pjatat kalorike zëvendësojini me fruta. Ato ndihmojnë tretjen dhe disa syrësh ndikojnë në shpërbërjen e kalorive. Si përshembull molla, portokalli etj. E nëse mendoni gjatë gjithë kohës për formën fizike, padashje festat e fundvitit mund t’u kthehen në një periudhë stresuese. Që ta shmangni ngrënien e tepërt nga nervozizmi, mendoni si të planifikoni kohën më mirë. Më pak televizor dhe kryeni sa më shumë lëvizje. Mund të organizoni me miqtë tuaj ndonjë aktivitet, por pa i humbur magjinë që kanë këto festa për të qendruar sa më pranë familjes. Nëse do t’ia dilni t’u qendroni këtyre këshillave në mbarim të festave nuk do të keni asnjë problem me peshën. Të lumtur si para dhe pas tyre.