Të dhënat e transportit të udhëtarëve dhe mallrave me tragete gjatë periudhës janar – tetor 2017 dëshmojnë për shifra më të larta se sa në 10-mujorin e vitit të kaluar.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se në 10 muajt e parë të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 784.112 udhëtarë vendas dhe të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë preferuar mjetet e mëdha lundruese në kahjen Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona-Trieste.

416.001 udhëtarë me 79.440 autovetura janë nisur nga Durrësi në këto 10 muaj, ndërsa 368.111 udhëtarë dhe 85.372 autovetura të tjera kanë mbërritur me tragete në portin më të madh të vendit tonë.

Tragetet kanë kryer 849 lundrime gjatë këtyre 10 muajve, 26 më pak se sa e njëjta periudhë e vitit 2016, por numri i udhëtarëve dhe autoveturave ka pësuar rritje përkatësisht me 5 dhe 8 për qind. Një rritje prej 9 për qind ka shënuar edhe numri i kamionëve dhe trajlerave që shfrytëzojnë tragetet për transportin e mallrave.

Në periudhën 10-mujore të këtij viti tragetet kanë transportuar 673 760 ton mallra, ose 7 për qind më shumë se në janar-tetorin e vitit 2016.