Afro 172 mijë autovetura me tragete, 8 përqind më shumë se 2016
Tragetet e linjave Durrës-Bari e Durrës-Ankona-Trieste e kthim, gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti janë shfrytëzuar nga 818.440 udhëtarë me 171.828 autovetura gjithsej.
Nga të dhënat statistikore mësohet se në çdo afro 5 udhëtarë, tragetet kanë transportuar një autoveturë. Shifra e autoveturave me tragete të kësaj periudhe është 8 për qind më e lartë se sa ajo e 11-mujorit të vitit 2016, kur tragetet transportuan 159.041 autovetura gjithsej.
Sektori i Statistikave në APD bën me dije, se në këto 11 muaj tragetet janë shfrytëzuar nga 12.787 autovetura më shumë se sa në periudhën janar-nëntor 2016.
Numri i autoveturave që kanë mbërritur me tragete në portin e Durrësit gjatë këtij 11-mujori është mbi 7 mijë njësi më i madh se sa ai që ka shfrytëzuar tragetet në nisje drejt porteve të Italisë.
89.495 autovetura kanë zbritur nga tragetet në portin e Durrësit, ndërsa 82.333 të tjera janë nisur me tragetet e linjave nga Durrësi drejt Barit, Ankonës apo Triestes.
Tragetet kanë kryer 922 lundrime gjithsej, ose 26 lundrime më pak se sa në periudhën janar-nëntor 2016.