2 shtator 2015 – Mbi 246 mijë udhëtarë shqiptarë dhe të huaj kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga Durrësi për të udhëtuar drejt dhe nga portet e Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali).

Megjithëse tragetet kanë kryer 50 lundrime më pak se sa i njëjti muaj i vitit 2014, numri i udhëtarëve është rritur me 5 për qind, ose 12.264 persona më shumë se sa gushtin e vitit të kaluar.

Burime nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë me dije se numri i udhëtarëve edhe në hyrje edhe në dalje, ka pasur një rritje të njëjtë nga 5 për qind, me 103.105 udhëtarë në hyrje dhe 143.163 në dalje. Numri i autoveturave me tragete në gusht 2015 është rritur me 8 për qind, duke arritur në shifrën 56.273.

Gushti vazhdon të ruajë rekordin e numrit më të lartë të udhëtarëve në krahasim me muajt e tjerë të vitit, për shkak të kthimit masiv të bashkatdhetarëve për pushimet verore pranë familjeve të tyre.

Udhëtarët shqiptarë po i rikthehen trageteve, dhe gjatë muajit gusht të këtij viti numri i tyre është rritur me 10 për qind, krahasuar me gushtin e vitit 2014.

Ndërkaq, ka pasur një ulje të numrit të udhëtarëve të huaj me 7 për qind më pak.

/portali DurresLajm/