Një aksident tragjik ka ndodhur në jugperëndim të Berlinit, ku dy të rinj, përkatësisht 17 dhe 18 vjeç, humbën jetën ndërsa po udhëtonin mbi një tren në lëvizje. Ata ishin ngjitur në çatinë e trenit të linjës S1, por nuk arritën të shmangnin një urë që treni kalonte poshtë saj, duke mos pasur kohë të reagojnë.

Sipas autoriteteve, treni lëvizte me një shpejtësi prej 60 km/h. Njëri nga të rinjtë vdiq në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë më vonë për shkak të plagëve të marra.

Një zëdhënës i Hekurudhave Gjermane (DB) e cilësoi ngjarjen shumë të dhimbshme dhe paralajmëroi për rreziqet ekstreme të asaj që njihet si “sërfimi i trenit” – një praktikë e ndaluar rreptësisht. Ai theksoi se, pavarësisht paralajmërimeve dhe masave parandaluese, raste të tilla vazhdojnë të ndodhin.

“Ku kalojnë trenat, nuk ka vend për aventura. Kjo sjellje e pamatur rrezikon jo vetëm jetën e individëve por edhe të tjerëve,” u shpreh ai.

Hekurudhat gjermane kanë ndërmarrë fushata informuese për rreziqet në stacione, shkolla dhe rrjete sociale. Megjithatë, “sërfistët e trenave” – siç quhen personat që u ngjiten trenave në lëvizje për adrenalinë, për t’i shpëtuar pagesës së biletës apo për të bërë video – mbeten një fenomen i përhapur në disa vende, përfshirë Gjermaninë, Brazilin dhe Rusinë.