Tragjedia “Elektra” e nisi mbrëmjen e së premtes rrugëtimin e saj nga Durrësi duke ofruar për publikun një shfaqje, që flet për një realitet të zymtë, ku gjithçka është kthyer përmbys. 

Teatri shëtitës “Çajupi”, këtë vit të ri, startoi me shfaqjen premierë në Durrës për 3 arsye të qenësishme, siç na rrëfen regjisori Kiço Londo.

“Eshtë një kompleksitet arsyesh pse jemi në Durrês; e para jemi premierë me “Elektrën”, e dyta e fillojmë nga porta hyrëse e rrugës “Egnatia” për të vijuar më pas me Elbasanin, me Pogradecin, Ohrin, Selanikun, Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Beratin e mrekullueshëm etj. Pra do të jetë një shfaqje që do të lëvizë. Arsyeja e tretë që më solli këtu është 100-vjetori i artistit të madh, Sulejman Pitarka”.

E bazuar në tekstin e autorit të antikitetit grek Sofokliu, tragjedia “Elektra” kërkon t’i flasë publikut për drejtësinë, familjen dhe hakmarrjen duke dëshmuar përmes interpretimit të fortë emocional të trupës së përzgjedhur të aktorëve pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e faljes.

Elektra e dëshpëruar kërkon hakmarrje për vrasjen e të atit dhe në ndërveprimin e saj me personazhet e tjerë të tragjedisë del në pah një botë antiheroike, ku rendi i gjërave është prishur në mënyrë të rrezikshme.

Tragjedia “Elektra” do të shfaqet për publikun durrsak edhe të shtunën dhe të dielën në mbrëmje, për të nisur më pas udhëtimin e saj nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë.

M.B.