Νë qytetin e Kalamatës në Greqi fillon sot gjyqi për anijen e mbytur në 14 qershor të vitit të kaluar në ujërat ndërkombëtare në brigjet jugperëndimore të Greqisë pranë Pilios, ku gjetën vdekjen rreth 600 emigrantë.

Korrespondenti i Top Channel Aleksandër Marku bën me dije se gjyqi fillon me akuzën ndaj 9 shtetasve egjiptianë të akuzuar për mbytjen e saj. Zona jashtë ndërtesës së gjykatës është rrethuar nga forcat policore teksa janë planifikuar protesta nga grupet aktiviste për të drejtat e njeriut.

Rreth orën 8.30 të mëngjesit ka pasur konfrontime mes përkrahësve të organizatës PAME, që mbështet Partinë Komuniste Greke dhe forcave policore, ku janë plagosur dy persona, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar.

Gjykimi i të akuzuarve si trafikantë të qenieve njerëzore mbulohet nga mediat ndërkombëtare, gazetarët e të cilëve tashmë kanë mbërritur në gjykatë.

Nëntë egjiptianët e akuzuar kërkuan falje qershorin e kaluar, duke mohuar akuzat me pretendimin se ata organizuan këtë udhëtim të qindra personave nga Egjipti, drejt Libisë me destinacion Italinë, që më pas u kthye në tragjedinë më të madhe detare në Greqi në gjithë këto vite.

Avokatët e tyre do të argumentojnë se Greqia nuk ka juridiksion në këtë çështje dhe kanë këmbëngulur që klientët e tyre ishin të mbijetuar të pafajshëm që janë ndjekur penalisht padrejtësisht.

Ende edhe sot pas një viti nuk është përcaktuar saktësisht numri i saktë i njerëzve në bord me vlerësimet që nisin nga 500 deri në 700 vetë. Vetëm 104 njerëz mbijetuan – të gjithë burra dhe djem nga Siria, Egjipti, Pakistani dhe dy palestinezë ,ndërsa u gjetën vetëm 80 trupa pa jetë.

Anija «Adriana» lundronte në ujërat ndërkombëtare, por siç pretendojnë aktivistët e të drejtave të njeriut, ishte brenda zonës së përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit të Greqisë. Gjithashtu ata kanë akuzuar autoritetet greke për shkaktimin e mbytjes së anijes, ndërsa theksojnë se roja bregdetare kishte tentuar të tërhiqte anijen jashtë kësaj zone.

Nga ana e tyre autoritetet greke kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë këmbëngulur se anëtarët e ekuipazhit të anijes në fjalë kishin refuzuar të pranonin ndihmë nga anijet tregtare aty pranë si dhe nga roja bregdetare greke.