Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një konferencë për media, duke folur për seancën gjyqësore që u mbajt dje ndaj Ilir Metës.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se ish-Presidentit i është bërë një trajtim çnjerëzor, duke shtuar se Meta duhet të lirohet.
“Trajtimi çnjerëzor i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akt i hakmarrjes primitive të Edi Ramës. Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i Parlamentit dhe ish-kryeministri Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndarë në kafaz xhami, sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston absolutisht asnjë provë e faktuar për ndonjë vepër penale të çdo natyre, qoftë ose jo.
Ky akt çnjerëzor brutal, i urdhëruar direkt nga Edi Rama, riktheu para shqiptarëve skenat e gjyqeve staliniste të Enver Hoxhës, babait shpirtëror të Edi Ramës dhe skulptorit xhelat, Kristaq Rama, babait biologjik të Edi Ramës. Ky akt hakmarrës nuk është një qëndrim i rastit, as edhe i izoluar ndaj ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të Parlamentit, z. Ilir Meta. Në tetor të vitit 2024, Ilir Meta u arrestua tek hynte në Tiranë, nga policia pa i paraqitur asnjë fletë arresti. U nxor me forcë në rrugë nga makina, u tërhoq zvarrë dhe u godit para kamerave nga policë të porositur dhe, si person nën hetim, u dërgua në burg”, tha ndër të tjera Berisha.





