1, 3 mld $ ose një të treta e buxhetit të Shqipërisë është transferuar jashtë vendit në mënyrë të paligjshme nga viti 2005-2010, përmes korrupsionit, evazionit fiskal apo aktiviteteve të tjera ilegale.

Sipas një raporti të Global Financial Integrity (GFI), që ka përdorur të dhënat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, vetëm në vitin 2008, 405 milionë dollarë ose (306 milionë euro) janë transferuar ilegalisht jashtë Shqipërisë.

Zëdhënësi i GFI-së, Clark Gascoign në një prononcim për ‘Balkan Insight’ u shpreh se 60 për qind e këtyre parave të transferuara ilegalisht jashtë vendit kanë ardhur nga evazioni fiskal, 35 për qind nga aktiviteti kriminal dhe 5 për qind nga korrupsioni.

“Kjo është një sasi shumë e madhe parash për t’u humbur për një vend si Shqipëria. Nëse këto para do të qëndronin brenda vendit, ato mund të përdoreshin për infrastrukturë, arsim dhe për të nxjerrë njerëzit nga varfëria”, – ka thënë për “Balkan Insight” Gascoigne.

Pak ditë më parë, ‘Transparency International’, në indeksin e perceptimit të korrupsionit, e renditi Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara në Europë.