Policia e Elbasanit ka reaguar lidhur me një lajm të publikuar në disa portale ku thuhej se 3 persona të maskuar kanë rrëmbyer një të mitur në Peqin.

Sipas policisë, një lajm i tillë i publikuar është i pavërtetë nisur edhe nga verifikimet dhe deklarimet e familjarëve të djalit të mitur.

“Në lidhje me një lajm të publikuar në disa portale, që bën fjalë për 3 persona të maskuar që kanë tentuar të rrëmbejnë djalin e mitur të shtetasit F. G., në qendër të qytetit të Peqinit, ju sqarojmë se lajmi është i pavërtetë. Nga verifikimet dhe deklarimet e familjarëve të djalit të mitur rezulton se ky lajm nuk është i vërtetë. Theksojmë faktin se në Polici nuk ka pasur asnjë kallëzim për një ngjarje të tillë.” – njofton policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan kërkon mirëkuptimin e mediave që të kërkojnë informacion të plotë pranë DVP Elbasan, para se të publikojnë lajme për të cilat nuk kanë informacion të saktë.