Ulet çmimi i apartamenteve, por kërkesa mbetet shumë e vakët. Kriza e sektorit të ndërtimit dëshmohet më së miri nga numri i lartë i apartamenteve të pashitura. Situata duket më e komplikuar në zonën turistike të plazhit dhe Shkëmbit të Kavajës, ku vitet e fundit, ndërtimet pa kriter kanë krijuar një xhungël betoni.
Ngërçi që ka mbërthyer këtë sektor pranohet nga agjensitë imobiliare, volumi i punës së të cilave ka rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Ndërsa oferta për shitje apartamentesh, dyqanesh apo zyrash mbetet e lartë, kërkesa është mjaft e ulët në këtë drejtim. Enver Burgija, administratori i një agjensie imobiliare në qytetin e Durrësit deklaron se viti 2012 paraqitet shumë më dobët se viti 2010 apo 2011.
“Kriza që ka mbërthyer dy vendet fqinje Itali dhe Greqi ka dhënë një impakt shumë negativ në sektorin imobiliar. Njerëzit priren t’i ruajnë kursimet e tyre dhe të mos investojnë në pasuri të patundshme, kur vendin e punës e kanë të rrezikuar ose kur e shohin me pasiguri të ardhmen. Nga ana tjetër edhe çiftet e reja nuk kanë aq shumë para sa për të blerë një apartament të ri. Bankat e kanë shtrënguar dhënien e kredive dhe kjo domosdoshmërisht jep ndikimet e saj tek ata që duan të blejnë apartamente”,- thotë Burgija.
Qiraja e kateve te para në qendër, ku përqendrohen kryesisht njësitë e shërbimit, varion nga 10-12 euro m2. Në periferi qiraja lëkundet mes 6-7 euro m2 në muaj
15-20 mijë lekë mesatarisht lëshohen me qira apartamentet në qytetin e Durrësit. 10-15 mijë lekë varion qeraja në zonën turistike, por jo gjatë sezonit veror
Kriza ekonomike ka rritur ndjeshëm numrin e qiramarrësve, ndërkohë kërkesa për blerje apartamentesh është në minimumin e mundshëm gjatë këtij viti
Gjatë këtij viti është vënë re tendenca e shtimit të numrit të qimarrësve. Kjo sipas Burgisë lidhet me faktin se kur njerëzit nuk ndihen të sigurt për të kryer një investim të rëndësishëm në pasuri të patundshme priren të shpenzojnë më pak. Në vend që të blejë një apartament të ri, një familje preferon të qëndrojë për një periudhe kohe me qira në pritje të stabilizimit të situatës.
Megjithëse situatat e krizave janë parë gjithnjë si momente të mira për të blerë pasuri të patundshme, bllokimi i këtij sektori në këtë periudhë mund të shpjegohet edhe me ngopjen e tregut imobiliar në Durrës.
Abuzimi me ndërtimet
Tregu imobiliar duket gati-gati i bllokuar, pavarësisht se firmat e ndërtimit i kanë ulur çmimet me 15-20%. Megjithëse prej më shumë se një viti KRRT-ja e Durrësit e ka ndërprerë dhënien e lejeve të ndërtimit pallate të reja vazhdojnë të ndërtohen, kjo për faktin se punimet në to janë në fazat përmbyllëse. Po kush do t’i blejë këto apartamente?
Situata duket më pak kritike në qytet, pasi ka ende kërkesë për apartamente, ndërkohë në zonën turistike gjendja paraqitet mjaft e vështirë. Një pjesë e apartamenteve në këtë zonë janë blerë nga qytetarë durrsakë, tiranas apo emigrantë si shtëpi të dyta. Por tani kur situata ekonomike nuk paraqitet aspak e favorshme ata ngurojnë të vazhdojnë të blejnë.
Shumë prej emigrantëve që jetojnë jashtë i duket e tepërt një shtëpi në vendlindje, nëse nuk planifikojnë të kthehen këtu. Një pjesë e kompanive të ndërtimit kanë probleme me bankat për shkak të kredive të marra dhe të pashlyera. Disa nga investitorët më të mëdhenj në këtë sektor deri disa vite më parë kanë nisur të tërhiqen, pasi nuk e shohin më ndërtimin si sektor fitimprurës.
15-20% i kanë ulur çmimet e apartamenteve të banimit kompanitë e ndërtimit gjatë 2012
800-1000 euro m2 variojnë çmimet e apartamenteve në qendër të qytetit të Durrësit
400$-1000 euro m2 shiten apartamentet në zonën turistike, plazh apo Shkëmbi i Kavajës
4000-5000 euro m2 shiten dyqanet në qendër, në zonat periferike nën 3000 euro m2
3500 mendohet të jetë shifra e apartamenteve të pashituara në qytet dhe zonën e plazhit
Nga ana tjetër ndërtimet pa kriter në zonën turistike të plazhit, Shkëmbit të Kavajës apo Golemit, ku pallatet e reja po ia marrin frymën njëri tjetrit dhe infrastruktura rrugore lë për të dëshiruar, duket se nuk inkurajojnë blerësit. Ndërsa në vijën e parë çmimet vërtiten nga 800-1000 euro m2, në vijën e dytë apo në anën e majtë të rrugës automobilistike Ura e Dajlanit – Golem, çmimet e apartamenteve variojnë nga 400$ në 800 euro m2.
Ulja e çmimeve
Për të mos rrezikuar falimentimin si dhe për të rikuperuar paratë e investuar kompanitë e ndërtimit i kanë ulur çmimet e shitblerjes së apartamenteve. Në disa raste çmimet arrijnë deri në kufirin e kostos së ndërtimit. Zonat më të preferuara dhe që kanë çmimet më të larta të shitblerjes janë ato në qendër të qytetit, ku nuk lejohen më ndërtimet më shumë se 6-katëshe.
Në këtë sipërfaqe çmimet e apartamenteve variojnë nga 800-1000 euro m2. Zonë mjaft e preferuar mbetet edhe shëtitorja Taulantia, ku apartamentet shiten nga 600-800 euro metri katror. Tre vite më parë çmimet aty varionin deri në 1000-1100 euro metri katror. Ndërkohë në lagjen nr.5, 6, 8 etj. çmimet shkojnë deri në 550-600 euro, kurse në 2010 varionin nga 700-750 euro m2. Ndërkohë, pallatet e vjetra të ndërtuara me kontribut vullnetar gjatë viteve të regjimit kanë dhe ato klientelën e tyre.
Çmimi i një apartamenti 2+1 në këto pallate shkon në rreth 5 milion lekë. Siç vihet re çmimet kanë pësuar ulje të konsiderueshme. Burgija thotë se shumë ndërtues, megjithëse i mbajnë çmimet e larta, kur shohin persona të interesuar të paguajnë me lekë në dorë e ulin ofertë, mjafton që ta shesin atë apartament. Shumë më ndryshe paraqitet situata me çmimet e dyqaneve që mbeten të larta.
Në rrugën tregtare apo bulevardin “Dyrrah”, nga bashkia deri tek pallati i sportit, ato variojnë nga 4000-5000 euro m2. Në rrugën “Egnatia”, nga hyrja e portit tek stacioni i trenit, çmimet variojnë deri në 3000 euro, ndërkohë që në akset e tjera vijnë duke u ulur edhe më shumë. Sa më larg qendrës të jenë aq më shumë ulen dhe çmimet e shitblerjes.
Rritet numri i qiramarrësve
Agjensitë imobiliare bëjnë të ditur se numri i qiramarrësve vitet e fundit ka ardhur duke u rritur. Kjo për arsye të ndryshme. Një pjesë e pronarëve të tokave qëndrojnë në ambiente me qira derisa firmat e ndërtimit t’u dorëzojnë apartamentet. Një pjesë të konsiderueshme të qiramarrësve e përbëjnë edhe të ardhurit, që nuk kanë blerë apo ndërtuar ende shtëpi. Ndërsa pjesa tjetër janë studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu”. Gjithsesi, sipas Burgisë, kjo është kategoria më pak e preferuar nga qiradhënësit. Arsyet janë të ndryshme sipas tij. Një pjesë e studentëve deklarojnë se do banojnë vetëm 2-3 veta në apartament, ndërkohë që futen më tepër dhe shkaktojnë dëme të shumta në banesë. Shpesh ata nuk paguajnë faturat e energjisë dhe të ujit duke akumuluar borxhe dhe kamatë vonesa për pronarët e banesës. Nga ana tjetër qëndrimi i tyre i limituar nuk shkon në favor të qiradhënësve, të predispozuar t’i japin apartamentet me qira për një kohë të gjatë. Çmimet e qiradhënies në qytet variojnë mesatarisht nga 15-20 mijë lekë, ndërsa në plazh nga 10-15 mijë lekë. Ndërsa gjatë sezonit veror apartamentet e marra me qera nga pushuesit lëshohen kundrejt një tarife prej 20 euro në natë.
Zyrat, bllokohet shitja
Megjithëse pjesa më e madhe e pallateve të reja dy katet e para të godinës i kanë lënë në funksion të lokaleve të shërbimit apo i kanë konceptuar si ambiente për biznesin, pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur të pashitura. Edhe kur jepen me qira, subjektet që i marrin i përdorin vetëm për një kohë të shkurtër dhe më pas largohen. Disa prej godinave të konceptuara si qendra biznesi kanë shumë ambiente të tyre të mbyllura. Madje në disa raste, kur qëndrojnë të pashitura për një kohë të gjatë nuk kanë munguar tentativat e kompanive të ndërtimit për t’i kthyer ato në ambiente banimi. “Gjetja e blerësve apo qiramarrësve për dyqanet është një proçes shumë më i lehtë sesa ai për ambientet e vendosura në kat të dytë apo të tretë. Dyqanet apo lokalet e sistemuara në katet e dyta të pallateve në përgjithësi kanë më pak klientelë sesa simotrat e tyre në kat të parë. Për këtë arsye mbesin të pashitura”,- thotë Burgija. Megjithëse qiraja e tyre është e ulët në krahasim me katet e para (varion 3-4 euro m2) ato nuk preferohen nga njësitë e shërbimit. Më të predispozuar për t’i blerë apo marrë me qira këto ambiente janë kompanitë apo shoqëritë e ndryshme që duan t’i përdorin si zyra. Në katet e para qiraja varion nga 10-12 euro m2 në zonat afër qendrës, në 6-7 euro m2 në zonat më periferike.