TETOVE– Kanë shpëtuar me lëndime të lehta dy vëllezërit Nexhat dhe Remzi Jusufi, 57 dhe 66 vjeçarë, veturën e të cilëve e goditi sot treni me numër 663, në pikën e kalimit në lagjen Teteks të Tetovës. Makina drejtohej nga Nexhat Jusufi, i cili së bashku me të vëllanë udhëtonin drejt Strimnicës. Për shkak të bllokimit të fushëpamjes nga ferrat, dhe mungesa e një trau dhe semafori sinjalizues prej kohësh, dy të moshuarit, janë goditur nga treni, i cili udhëtonte në relacionin e përditshëm Kërçovë-Shkup. Banorët e fshatrave Strimnicë dhe Falishtë, të cilët e përshkojnë disa herë kalimin e binarëve të trenit, shprehen të revoltuar për shkak të neglizhencës së autoriteteve hekurudhore, mbi sinjalistikën në rajonet e banuara.  

“Shumë herë ndodh kjo shumë herë, qëmoti e kemi kërkuar rregullimin ama askush nuk kujdeset për këtë. Rampa ka qenë më herrët edhe rojtar ka pasur por qëmoti nuk janë, vetëm thonë do bëhet do bëhet dhe asgjë, përpara ka dalë rojtari e ka ngrit rampën dhe janë ndalur veturat që të kalojë treni tash s’ka asgjë”, tha një banor

“Çdoherë kur ka ndodhur aksidenti, ka ardhur komisioni dhe ka premtuar që do bëhet, por siç e shihni edhe vet, ka ndodhur sërish, po nuk është e para dhe as e fundit herë, do ndodh sërish derisa dikush tmerr masa, po se ka mendjen dikush tmerr masa këtu”, tha një tjetër banor.

"Nuk ka rampë të ngrihet të ulet, çfarë shteti ky, dy herë na ndodh kjo”, tha një banor.

Incidentin e sotëm e ka konfirmuar edhe sektori i punëve të Brendshme, ndërsa për hetim në vendin e ngjarjes ka dalë edhe gjykatësi hetues. Policia iu bën apel banorëve dhe drejtuesve të Automjeteve të bëjnë kujdes gjatë kalimit të trasesë. Sipas të dhënave nga Spitali Klinik i Tetovës, gjendja e të lënduarve është e mirë dhe ata nuk janë në rrezik për jetën.