354 anije me 1 milion e 378 mijë tonë mallra gjithsej, janë përpunuar gjatë vitit të kaluar në Terminalin Perëndimor dhe në atë Lindor të portit të Durrësit.
Rusia, Italia dhe Turqia janë tri shtetet kryesore, me portet e të cilave ka shkëmbyer më shumë mallra porti i Durrësit.
Portet e tjera nga ku mbërrijnë dhe shkojnë mallrat që përpunohen në Durrës janë në vende si Kina, Egjipti, SHBA, Libi, Spanjë, Gjermani, Guatemalë, Venezuelë, Ukrainë, Tunizi, Francë, etj.
Burime nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë të ditur se gjatë vitit 2017, nga këto dy Terminale të portit më të madh të vendit, drejt/nga portet e Rusisë kanë mbërritur/nisur me anije 312 mijë tonë mallra gjithsej; nga Italia 273 mijë tonë dhe Turqia rreth 191 mijë tonë.
Rusia ndodhet në vendin e parë edhe për importet drejt portit të Durrësit me 32 për qind të mallrave të përpunuara nga anijet gjatë vitit 2017. Turqia, Greqia dhe Italia sjellin në Durrës përkatësisht 20 %, 8 % dhe 7 % të mallrave të importit.
Eksportet kanë një tjetër renditje që fillon me Italinë, e cila merr përmes portit më të madh të vendit tonë rreth 56 për qind të mallrave të eksportit, ndërsa drejt Maltës shkojnë 27 për qind të tjera.
Këto të dhëna marrin në shqyrtim përpunimet në Terminalin Lindor dhe atë Perëndimor të portit të Durrësit, shkëmbimet me anije të të cilave prekin afro 55 porte të botës.