Pas dështimit të votimit të tri reformave të vendosura si kusht për integrimin, në seancën e së enjtes në Kuvend, diplomatët e huaj në Tiranë e cilësojnë zhgënjyes këtë proces. Në një prononcim për mediat, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart, deklaroi se konsensusi për ligjet e integrimit është i vështirë, por jo i pamundur.

"Është zhgënjyese ajo që ndodhi në Parlament, por ka ende kohë që këto ligje të miratohen. Ajo që tashmë kemi në tryezë është për të tashmen dhe të ardhmen. Ftoj politikën të marrë vendime për të mirën e qytetarëve", – apeloi Volfart. 

Të njëjtin shqetësim me ambasadorin e prezencës së OSBE-së ndau edhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian. Nga qyteti i Elbasanit, Ettore Sequi, i bëri sërish thirrje politikës shqiptare për dialog. Sipas tij dialogu ka vlera të mëdha. "Vetëm rruga e dialogut dhe e shtetit të së drejtës e çon Shqipërinë shumë shpejt në BE. Dikur të gjitha rrugët të çonin në Romë. Sot të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel", – tha Sequi. Këtë deklaratë ai e bëri pak pasi mori pjesë në inagurimin e investimit të kryer në rrugën "Egnatia" që përshkohet përgjatë lagjes "Kala" të këtij qyteti.

Mesazhit të lëshuar nga dy diplomatët e huaj iu bashkua edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili ndonëse nuk foli hapur për dështimin e seancës plenare të së enjtes, ku nuk u miratuan ligjet 3 ligjet kusht për integrimin tha se nëpër libra tregohet mjaft mirë sesi mund të qeveriset mirë dhe sesi mund të përmirësohet komunikimi.

Gjatë vizitës në panairin e librit “Tirana 2012” Arvizu deklaroi: "Për herë të parë ne jemi pjesëmarrës me një tendë në këtë panair dhe jemi këtu për të festuar gjithashtu Javën e Arsimit Ndërkombëtar. Po përpiqemi të promovojmë më shumë studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse prisni që të lëshoj një apel, nuk keni për ta marrë, por nëse doni informacion se si të përmirësoni komunikimin, se si të luftoni korrupsionin dhe si të pastroni tërë rrëmujrat, në këtë panair ka mjaftueshëm libra që do ju tregojnë se si të qeveriseni dhe se si mund të përmirësohet komunikimi".