Shkencëtarët thonë se ditët tona në planetin Tokë mund të jenë të numëruara.

Sipas tyre fundi mund të jetë afër dhe popullsia globale mund të fillojë rënien e saj të pashmangshme.

Këtë e ka thënë paleontologu dhe redaktori i Nature, Henry Gee, në një opinion të ri për Scientific American – dhe nuk ka turp ta përdorë termin “zhdukje”.

“Unë dyshoj se popullsia njerëzore po shkon drejt jo vetëm tkurrjes por edhe kolapsit”, shkroi ai.

Gee përmend mungesën e variacionit gjenetik, rënien e nivelit të lindjeve, dhe stresin e shkaktuar nga jeta në qytete të mbipopulluara si një recetë për fatkeqësi.

“Kërcënimi për njerëzimin është diçka që quhet ‘borxhi i zhdukjes’”, shpjegoi Gee. “Vjen një moment në përparimin e çdo specieje, madje edhe atyre që duket se po lulëzojnë, kur zhdukja do të jetë e pashmangshme, pavarësisht se çfarë mund të bëjnë për ta shmangur atë”.