Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se dëshiron që Egjipti dhe Jordania të marrin palestinezë nga Gaza, të cilën ai e përshkroi si një “vend shkatërrimi”. Trump ka deklaruar se në një telefonatë që ka pasur këtë fundjave me mbretin e Jordanisë, Abdullah, i kishte thënë atij se do të donte që ata të merrnin më shumë palestinezë, sepse Rripi i Gazës është një rrëmujë, raporton BBC.
Trump po ashtu ka thënë se planifikonte t’i bënte një kërkesë të ngjashme presidentit të Egjiptit të dielën. Lëvizja “mund të jetë e përkohshme” ose “mund të jetë afatgjatë”, sipas tij. Hamasi është zotuar të kundërshtojë çdo veprim të tillë dhe komentet ka të ngjarë të zemërojnë palestinezët në Gaza, të cilët e shohin territorin si shtëpinë e tyre stërgjyshore.
“Populli ynë palestinez në Rripin e Gazës duroi vdekjen dhe shkatërrimin për 15 muaj, pa lënë vendin e tij. Prandaj, ata nuk do të pranojnë asnjë ofertë apo zgjidhje, edhe nëse duket se janë qëllime të mira nën titullin e rindërtimit, siç njoftoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump”, ka thënë për BBC, Bassem Naim, anëtar i byrosë politike të Hamasit.