Presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbërrijë këtë të mërkurë në Pekin, në një vizitë 3-ditore që po ndiqet me interes të madh nga politika dhe tregjet globale. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të shoqërohet nga disa prej emrave më të njohur të industrisë amerikane të teknologjisë dhe biznesit, në një sinjal të qartë se fokusi i vizitës do të jetë ekonomia, investimet dhe raportet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës.
Pas tarifave, ndalimeve të eksportit të teknologjisë dhe retorikës së vitit të kaluar, Trump po ecën me hapa të shpejtë drejt vizitës së tij tre-ditore në Kinë, e cila fillon të mërkurën.
“Mezi pres udhëtimin tim në Kinë, një vend i mrekullueshëm, me një udhëheqës, Presidentin Xi, të respektuar nga të gjithë”, tha presidenti i SHBA. “Gjëra të mëdha do të ndodhin për të dy vendet!”, shtoi ai.
Me të, udhëtojnë në avionin “Air Force One” manjatët e teknologjisë, përfshirë Tim Cook të Apple, Elon Musk të SpaceX dhe në minutën e fundit pjesë e delegacionit u bë edhe shefi i Nvidia, Jensen Huang.
Krahas ekipit të teknologjisë është edhe lista e emrave të rëndësishëm të Wall Street-it, përfshirë David Solomon nga Goldman Sachs, Stephen Schwarzman nga Blackstone, Larry Fink nga BlackRock dhe Jane Fraser nga Citigroup.
Kelly Ortberg, drejtoresha ekzekutive e Boeing do të jetë gjithashtu pjesë e këtij udhëtimi.
Është e qartë se Trump shpreson të shmangë një “luftë” tregtare me Xi dhe të arrijë një mori marrëveshjesh.
Lufta e tarifave
Donald Trump e nisi mandatin e tij të dytë presidencial vitin e kaluar me të njëjtën strategji si në mandatin e parë: duke goditur Pekinin me tarifa dhe masa kufizuese për nxjerrjen e lëndëve të para. Por në katër vitet midis dy mandateve, Xi kishte bërë çmos që kjo taktikë të mos funksiononte më.
Ai vendosi kontrolle të eksportit mbi magnetët e metaleve të rralla që janë të domosdoshëm për prodhuesit amerikanë të armëve dhe prodhuesve të makinave.
Trump u kundërpërgjigj me kërcënime për të rritur edhe më tej tarifat ose për të vendosur kontrolle të veta mbi eksportet. Por situata kishte ndryshuar.
SHBA-të tani përbëjnë vetëm 10% të eksporteve kineze, nga pothuajse 20% që ishin në fillim të mandatit të parë të Trump në vitin 2016.
Fabrikat kineze janë riorientuar drejt Azisë, Evropës dhe Amerikës Latine, duke zvogëluar ndikimin e tarifave amerikane. Instituti Lowy, një organizatë kërkimore, thotë se rreth 70% e ekonomive të botës tani tregtojnë më shumë me Kinën sesa me Amerikën.
Kina ishte partneri më i madh tregtar dypalësh për 60 ekonomi në vitin 2023, pothuajse dy herë më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po atë vit, 112 ekonomi tregtuan më shumë se dy herë më shumë me Kinën sesa me SHBA-në.





