Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar se nuk do të kërkojë autorizim nga Kongresi për veprime të mundshme ushtarake ndaj Iranit, duke kundërshtuar hapur kërkesat që lidhen me Rezolutën e Fuqive të Luftës.

Në deklaratat e tij, Trump i cilësoi si “jo patriotikë” ata që kërkojnë respektimin e këtij mekanizmi ligjor, i cili parashikon që presidenti duhet të marrë miratimin e Kongresit brenda 60 ditëve nga vendosja e trupave në një konflikt.

Ai argumentoi se një dispozitë e tillë nuk është zbatuar realisht nga presidentët amerikanë, duke shtuar se shumë e konsiderojnë atë jokushtetuese.

“Gjithashtu patëm një armëpushim, kështu që kjo ju jep kohë shtesë… Jemi në mes të një fitoreje të madhe,” u shpreh Trump, duke lënë të kuptohet se situata mbetet nën kontroll dhe në favor të Shteteve të Bashkuara.