Irani paralajmëron se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën e Iranit me Izraelin do të çojë në një “luftë të përgjithshme” në Lindjen e Mesme.
Deklarata e Iranit vjen, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për “dorëzimin pa kushte” të Iranit, mes përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas raportimeve nga mediat amerikane NBC dhe CBS, Trump po shqyrton mundësinë e bashkimit me Izraelin në sulmin ndaj Iranit, pasi zyrtarët thanë se presidenti amerikan po shqyrton një sulm të SHBA-ve ndaj këtij vendi.
Për rrjedhojë një zëdhënës iranian paralajmëroi se përfshirja amerikane mund të çojë në një “luftë të përgjithshme” në rajon.
Zëdhënësi shtoi se Irani nuk do të hezitojë të sulmonte SHBA-të nëse vendi bashkohet me Izraelin.
“Ne nuk do të tregojmë asnjë hezitim në mbrojtjen e popullit, sigurisë dhe tokës sonë, ne do të përgjigjemi seriozisht dhe fuqishëm, pa përmbajtje”, tha zëdhënësi iranian, raporton Sky News.
Një vendndodhje e mundshme që Presidenti i SHBA-ve po shqyrton për të goditur Iranin është Fordoë, një central bërthamor nëntokësor që Irani dyshohet se e përdor për të pasuruar uraniumin.
Vendndodhja besohet të jetë në zemër të programit bërthamor të Iranit, sipas burimeve që folën me CBS, të cilat përfshijnë zyrtarë të lartë amerikanë.
Fordou ndodhet pothuajse 300 metra nën tokë brenda një mali dhe është i mbrojtur nga fortifikime të rënda dhe mbrojtje ajrore.
Ekspertët besojnë se ai është vendi ku Irani ka pasuruar uranium për qëllime armatimi, gjë që ende nuk është provuar.